Shqipëri, KQZ vendos heqjen e mandatit për deputetët Rakipi dhe Rehovica

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ), në mbledhjen e sotme vendosi për heqjen e mandatit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, raporton Anadolu Agency (AA).

KQZ, pasi shqyrtoi rezultatet e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, për deputetët Rakipi dhe Rehovica, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, vendosi me 5 vota pro, aq anëtarë sa ishin të pranishëm në mbledhje për heqjen e mandatit të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa dy anëtarë të KQZ-së mungonin në mbledhje.

Kujtojmë se Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar disa ditë më parë ndërprerjen e mandatit për deputetin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi dhe deputetin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica, të cilët sipas organit të akuzës rezultojnë se janë subjekt i ligjit të “Dekriminalizimit”.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se Rakipi dhe Rehovica kanë kryer vepra penale jashtë Shqipërisë me identitete të tjera. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, Rakipi e Rehovica rezultojnë se kanë kanë kryer veprën penale të “vjedhjes”, shumë vite më parë dhe se të dhënat nuk i kanë deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit”.

Dy ligjvënësit morën mandatin e deputetit në zgjedhjet e mbajtura më 25 qershor të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button