Çështja e emrit Maqedoni – Greqi, zëvendëskryeministri Bujar Osmani të martën në Greqi

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani më 9 janar të 2018-s, e martë do të realizojë vizitë pune në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, njofton Portalb.mk.

Siç njoftuan nga kabineti, gjatë vizitës së tij në Athinë, zëvendëskryeministri Osmani do të realizojë takime ndaras me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias dhe me zëvendësministrin e MPJ-së, Jorgos Katrugalos.

Temë diskutimi do të jetë integrimi euro-atlantik i Maqedonisë.

Përndryshe, në lidhje me procesin euro-atlantik të Maqedonisë, më 17 janar të 2018-s në Maqedoni do të vijë sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg. Vizita e Stoltenbergut do të zgjasë dy ditë.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian i përshëndet aktivitetet e Qeverisë së Maqedonisë për dhënie fund të kontestit 25 vjeçar për çështjen e emrit me Greqinë dhe shpreson se do të shohë rezultate “konkrete”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski i pyetur për mundësinë e ndryshimit të emrit të aeroportit Aleksandri i Madh dhe shtetit Maqedonia gjatë negociatave për çështjen e emrit Maqedoni – Greqi, ka thënë se meqë negociatat po zhvillohen nën patronat të OKB-së, nuk do të nxirren në ankand emra potencial.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në një intervistë për televizionin grek “Alfa”, duke folur për rrethanat e reja të zgjidhjes së çështjes së emrit Maqedoni – Greqi ka folur edhe për atë se çfarë e dallon atë nga kryeministri paraprak i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Televizioni “Alfa” ka raportuar se Zoran Zaev dallon nga Gruevski në çështjen e Aleksandrit të Madh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button