Koalicion i gjerë parlamentar? Partitë: Jo falemnderit!

Duke e kategorizuar si spekulim, kështu Bashkimi Demokratik për Integrim shprehi qëndrimin e vet në lidhje me mundësinë e koalicionit të zgjeruar partiak për të dalë nga kriza e emrit me Greqinë. Nga ana tjetër partia e Menduh Thaçit, PDSH tha se nuk do të jetë pjesë e qeverisë teknike nëse e njëjta nuk trajton çështjet shqiptare. Vetëm Rilindja Demokratike Shqiptare e Rufi Osmanit ende ruan qëndrimin e plasuar shumë kohë më parë se në vend është e nevojshme të krijohet një koalicion i gjerë nga partitë politike për të zgjidhur kontestin e hapur të emrit me Greqinë ndërsa pas kësaj duhet të pasojnë zgjedhjet parlamentare të parakohshme.

Zv/kryeministrja Teuta Arifi, tha se mundësia që ajo të mbajë pozitën e kryeministres në koalicionin e gjërë partiak të propozuar gjoja se nga Lidhja Socialdemokrate është vetëm spekulim mediatik.  

“Është vetëm një spekulim mediatik në të cilin nuk ka asgjë të vërtetë , ne funksionojmë në kuadër të një koalicioni qeveritar që është rezultat i zgjedhjeve të fundit , është rezultat dhe princip të cilin BDI e ka promovuar me vite dhe ky është principi i shumicave të cilat politikisht dakordohen. Megjithatë do të ju ftoja që pyetjet për çdo çështje  politike të mos bazohen në spekulime, por në informata të sakta që aq shumë na duhen në këtë proces dhe janë të ndërlidhura me integrimin në Bashkimin Evropian” tha Arifi. Ndërsa zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani në mënyrë sarkasitke tha se ”Si duket atmosfera e një prillit po zgjat deri në fund të muajit” tha Osmani.

Nga ana tjetër, burime nga Partia Demokratike Shqiptare thanë se ato assesi nuk do të pranojnë të jenë pjesë e koalicionit qeveritar nëse ai është dedikuar vetëm për të zgjidhur çështjen e emrit.

“Përderisa nuk flitet edhe për çështje të shqiptarëve ne nuk do bëhemi pjesë e koalicionit, ndërsa ne me BDI-në nuk do bisedojmë derisa ajo vazhdon të jetë pjesë e koalicionit me VMRO-në” thanë për Portalb burime nga selia e PDSH-së.  

Ndërkaq, nga RDK thonë se është BDI-ja ajo që e mban në pushtet VMRO-në dhe se dështimi i radhës që pritet të ndodhë në samitin e Çikagos vetëm vërteton pohimet se deklarimet e BDI-se në 10 vitet e fundit për prioritetin e euro-integrimeve, janë arsyetime para publikut për të mbuluar rolin e dekorit në Qeveri.

“Dalja e BDI-së nga koalicioni aktual do të krijonte mundësinë për arritjen e një shumice të re parlamentare duke e kushtëzuar palën tjetër dhe duke krijuar pozita më të favorshme për shqiptarët. Znj. Arifi kur nuk mbante post në qeveri, bënte thirrje për vendosjen e kushtit gjashtëmujor qeverisë për zgjidhjen e problemit të euro-integrimit, ose në të kundërtën kërkonte të dilet nga qeveria, ndërsa tani që është pjesë e qeverisë bën të kundërtën e asaj që deklaronte një vit me parë “ tha zëdhënësi i RDK-së Artan Dika. 

Nga kjo parti thanë se Kyetari i RDK-së që në analizën për 100 ditëshin e parë të dështuar të Qeverise së re VMRO-BDI ka propozuar dy alternativa si mundësi për daljen nga kriza aktuale. 
“Krijimin e qeverisë së koalicionit të gjërë, ngjashëm si ne vitin 2001, deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme së bashku me zgjedhjet e rregullta lokale, dhe lëshimin e qeverise nga BDI-ja dhe votimin ne parlament të mosbesimit të qeverisë Gruevski 3 dhe formimin e shumicës se re parlamentare” tha Dika.

Ndryshe, mediet maqedonase ditëve të fundit kanë shkruar se liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nga LSDM i është dhënë ofertë për formimin e qeverisë së koalicionit të gjerë të përbërë nga partitë politike të Frontit opozitar të kryesuar nga LSDM dhe të gjitha partive shqiptare dhe se Branko Cërvenkovski ka propozuar që këtë qeveri ta drejtojë Teuta Arifi.
LSDM në të njëjtën ditë demantoi informatën e tillë ndërsa sot dhe BDI bëri të njëjtën.  /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button