Au Revoir Nikolla!?

Zgjedhjet presidenciale në Francë, asnjëherë deri më tani nuk kanë zgjuar kaq shumë interesim si këto që u mbajtën dje. Pothuajse në nivel të zgjedhjeve presidenciale të Amerikës. Rrethi i parë mbaroi me fitore të kandidatit socialist Fransoa Onlland, kundër kryetarit aktual, Nikolla Sarkozi. Mbetet të vazhdojë dueli i drejtpërdrejtës më 6 maj.

Revista franceze “Philosophie” në tentim për t’i personalizuar dy kandidatët udhëheqës me personazhet dhe politikat nga veprat e filozofëve të njohur, në një analizë krahasuese të Onlland dhe Sarkozi, erdhi deri tek përfundimi se, në qoftë se ky duel presidencial vihet në fushën e filozofisë, ai do të ishte një duel mes vizionit konsensual dhe atij të marrëveshjes të Zhan Zhak Ruso-s (Fransoa Olland) kundër vizionit dhunues të maksimës “njeriu për njeriun është ujk” i Tomas Hobs (Nikolla Sarkozi).

Fitorja e Fransoa Onlland më 6 maj do të shënojë fundin e qeverisjes 17 vjeçare të së djathtës në Francë, pas dy mandateve të Zhak Shirakut dhe një mandat të Nikolla Sarkozisë. Sa për të përkujtuar, mandati i parë zgjati 7 vite, ashtu siç ishte paraparë mandati sipas Kushtetutës franceze. Pas ndryshimeve të Kushtetutës, mandati shkurtohet në 5 vite. Në qoftë se i humb zgjedhjet, e që supozohet se do t’i humb, Nikolla Sarkozi do të jetë lideri i parë i cili nuk ka fituar mandat të dytë, pas Valeri Zhiskar D’ Esten në vitin 1981.

Në qoftë se para 2007-ës Sarkozi ka qenë një nga politikanët më të njohur në Francë dhe me këtë ai erdhi në Pallatën e Elisejës, sot ai është një nga politikanët më të urrejtur në Francë, por edhe në Evropë.

Politikat e tij gjatë 5 viteve të fundit kanë dëshpëruar shumë francezë, por edhe pjesët tjera të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Nëse Sharl de Goll, i cili e themeloi Republikën e Pestë Franceze dhe funksionin presidencial, në një mënyrë më shumë ngjante në pozitën e monarkut dhe këtë e respektonin të gjithë kryetarët pas tij, edhe nga e djathta edhe nga e majta, Sarkozi në vitin 2007, kur u zgjodh si kryetar, më shumë dëshironte që në pozitën e tij të ngjante si një trajner futbolli, se sa një monark. Kjo krijoi rezistencë dhe dëshpërim te shumica e francezëve.

Një numër i madh i francezëve janë të tmerruar nga stili i jetesës duke menduar se mënyra e sjelljes së kryetarit të tyre është vullgare, se ai është i fiksuar pas parave, është gjysëm-racist dhe i rrezikshëm për shoqërinë franceze, pikërisht në drejtim të vizionit dhunues të Tomas Hobs.
Ajo që më së shumti i tmerron ata dhe që e krijoi ”sarkofobinë” në Francë dhe më gjërë në Evropë, ishte përkrahja e tij e fuqishme ndaj politikës anti-imigrante dhe raporti me ardhacakët në Francë. Ironia qëndron në atë që vetë ai është bir i një emigranti. Babai i  tij është hungarez, ndërsa e ëma hebreje e Greqisë e ardhur në Francë. Qëndrimet e tij radikale rreth emigrimit dhe dëbimit të ardhacakëve gjatë fushatës zgjedhore, me qëllim që të tërheqë më shumë vota se e djathta ekstreme e Frontit nacional të Le Pen, prapëseprapë nuk dha rezultate të mira, por e keqësoi klimën në shoqërinë franceze në aspekt të imigrimit dhe raportit me ardhacakët. 

Përkrahja prej 20 për qind të cilën e fitoi kandidatja e së djathtës ekstreme gjatë të dielës është shqetësuese për shoqërinë e hapur dhe liberale të Francës, Sarkozi me retorikën dhe politikën e tij ka pjesëmarrje të vet në të.

Fitorja e Onlland dhe efektet e një ndryshimi të tillë në Maqedoni nuk do të jenë edhe aq të rëndësishme, por gjithsesi se do t’i relaksojë marrëdhëniet mes dy vendeve. Onlland nuk është i lidhur me Greqinë ashtu siç është Nikolla Sarkozi, por kjo nuk do të thotë se solidariteti me Greqinë nuk do të vazhdojë. Me siguri që ato lidhje nuk do të jenë ashtu të fuqishme si me Sarkozinë, të cilin, mes tjerash, e udhëhiqnin edhe marrëdhëniet personale familjare me fqiun tonë jugor.

Por, fitorja  e Fransoa Onlland do të jetë një pikë kthimi brenda në Bashkimin Evropian dhe kështu ngadalë por sigurt do ta hapë rrugën për kthimin e së majtës në krye të vendeve anëtare të BE-së. Për fillim pritet rënie të Angela Merkelit në zgjedhjet e vitit 2013. Pa dyshim. Prej këtu, kyçja e kancelares gjermane Merkel dhe kryeministrit britanik Kameron në garën zgjedhore të Sarkozi, tregon qartë trendin i cili do të vijojë pas fitores së Onlland.
Në qoftë se përzgjedhja e Sharl de Gollit për kryetar të Francës në vitin 1958 shënoi fillimin e Republikës së Pestë Franceze, mbetet të shohim se a do të shënojë fillimin e një epoke të re, ose, thënë simbolikisht, fillim të Republikës së Gjashtë Franceze. Sidoqoftë, francezët janë në rrugë të drejtë që më 6 maj t’i thuan au revoir Nikollës së tyre. E ne?

Lajme të ngjashme

Back to top button