Osmani i ndihmon financiarisht me 1000 euro familjen skamnore Rexhepi

Kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, vizitoi familjen skamnore Rexhepi nga fshati Çajlë dhe kryefamiljarit Lazim Rexhepi, personalisht ia dorëzoi Aktvendimin për ndarjen e ndihmës financiare në vlerë prej 1000 eurosh.
 
Familja pesanëtarëshe Rexhepi, e cila një periudhë më të gjatë nuk kishte strehë mbi kohë, së shpejti do të bëhet me shtëpi të re falë humanitetit dhe solidaritetit të bashkëfshatarëve dhe biznesmenëve nga fshati Çajlë dhe më gjerë.
 
Iniciativën për strehim të familjes skamnore Rexhepi dhe ndërtimin e shtëpisë, e ngriti Elmaz Rexhepi, me punë të përkohshme në Zvicër, cili gjatë dimrit u siguroi strehim ndërsa para dy javësh ua dhuroi një parcelë ndërtimore në fshatin Çajlë, si dhe mundëson ndërtimin e shtëpisë.
 
Kryetari Osmani, bashkëfshatarit të vet Elmaz Rexhepit, i ndau Mirënjohje për solidaritetit dhe humanizmin e treguar në vepër. 

“Është një rast emocionues, posaçërisht sepse e gjithë kjo ndodh në vendbanimin tim. Është një rast i rrallë që ndodh në kushte të krizës së madhe ekonomike sociale. Elmaz Rexhepi është një shok i imi i fëmijërisë i cili vendosi që të investojë në këtë objekt në vlerë prej 10 mijë eurosh dhe njëkohësisht të ndajë edhe parcelën e tij ndërtimore me po të njëjtën vlerë. Pra gjithsej 20 mijë euro çyshtë kontributi i tij. Uroj që fenomene të kësaj natyre të shoqërohen edhe me raste të tjera, ndërkohë që institucionet publike, siç është rasti i komunës, por edhe institucione tjera publike dhe donatorë të ndryshëm të ndihmojnë, sepse ne kemi shumë raste me probleme të shumta të banimit dhe ekzistencës’, theksoi Osmani duke apeluar për solidaritet dhe humanitet më të madh ndërmjet njerëzish për tejkalimin e kësaj situate.
 
Lazim Rexhepi, iu falënderua kryetarit Osmani, Elmaz Rexhepit dhe të gjithëve të cilët po e ndihmojnë për të zgjidhur problemin e banimit për familjen e tij pesanëtarëshe dhe i kapluar nga emocionet tha shkurt: “Ju të gjithë e dini se në çfarë kushtesh kam jetuar. Pa rrymë, pa ujësjellës, pa dyer, e pa dritare. Mund ta paramendoni se si ndjehem tani kur e shoh se si afrohet dita kur do të hy në shtëpi të kompletuar”.
 
“Sidomos përkrahja morale nga kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, i cili është edhe shok i imi i fëmijërisë, më ka stimuluar që t’i dal ballë kësaj iniciative të cilën e kam filluar. Do të desha të falënderoj gjithë individët dhe ndërmarrjet private të cilët me mjete financiare ose me punë konkrete, janë duke na ndihmuar në realizimin e kësaj vepre humane”, deklaroi Elmaz Rexhepi me rastin e pranimit të Mirënjohjes nga kryetari Osmani. /portalb
 

Lajme të ngjashme

Back to top button