SPECIALE, analizë ekonomike: Në vjeshtë – edhe një rebalanc


Shkruan: Aneta Dodevska

Rebalanci i prillit nuk do të jetë i mjaftueshëm që të përshtaten projektimet dhe dëshirat për shpenzim me realitetin. 

Ekonomistët paralajmërojnë se në shtator do të nevojitet domosdo shkurtimi i arkës shtetërore.

“Rebalanci i tanishëm ndodh vetëm tre muaj nga fillimi i këtij viti dhe kjo është rezultat i politikës tërësisht të gabueshme ekonomike të Qeverisë. Por metodologjia sipas të cilës është bërë rebalanci është pa logjikë të duhur ekonomike, të ardhurat e projektuara edhe më tej mbesin jo realisht të larta dhe të paqëndrueshme, ndaj fare nuk duhet çuditur nëse në vjeshtë ka edhe një rebalanc të buxhetit që do të duhet të njëjtin ta vë në nivelin e të ardhurave të zmadhuara me deficitin. Ky nuk është rast me buxhetin e re balancuar të paralajmëruar”, konsideron Nikolla Popovski, njëri nga ish-ministrat e Financave.

Me këtë rebalanc një gjë është e qartë – biznesi dhe qytetarët do të presin ditë më të mira që të ndodh gazifikimi, studentët nuk do t’i fitojnë gjërat e premtuara, siç janë punimet e përkthyera shkencore dhe profesionale, shkupjanët nuk do të gëzohen me autobusët e rinj kinezë dhe ukrainas, zhvillimi i zonave të lira ekonomike do të ngec, mjekët do të presin për pagesa nga Fondi për shëndetësi.

Sipas projektimeve të para Qeveria planifikonte që nga qytetarët dhe ndërmarrjet të mbledh 2.5 miliardë euro, me shkurtimin, tani të ardhurat i projektoi në 2.4 miliardë euro. Në versionin e tanishëm megaloman buxhetor, Qeveria planifikonte të shpenzojë 2.7 miliardë, tani këto shpenzime i projektoi në 2.6 miliardë euro. Deficiti buxhetor në buxhetin e ri të rishikuar mbeti në pozitën e njëjtë, 2.5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Nga ajo që druante bashkësia afariste, e ndaj çka paralajmëronte opinioni i ekspertëve, ndodhi. Një pjesë e projekteve të rëndësishme kapitale dhe strategjike do të duhet të presin kohëra më të mira. Gazifikimi, projekt të cilin ekonomia e kërkon dhe e pret me vite, zonat e lira ekonomike, aduti  kyç i Qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja, autobusët e rinj për metropolin, meremetim dhe ndërtimi i shkollave, përkthimet e librave për studentët, infrastruktura në komunat, këto janë një pjesë e projektimeve realizimi i të cilave do të ngec, do të anulohet ose tërësisht do të pushojë. Me projektimin e parë buxhetorë planifikonte të shpenzojë 4.8 milionë euro për gazifikim. 

Në po atë buxhet të njëjtë për ndërtim dhe meremetim  të godinave administrative projektoi 21.4 milionë euro ose katër herë më shumë se paratë që i ndau për projektimet strategjike, si gasifikimi. Me rebalancin edhe ato 4.8 milionë euro do të shkurtohen.  Ja se prej cilave ministrive, sa do të ketë shkurtime: 

1.Ministria e Arsimit – 11 milionë euro


2.Ministria e Shëndetësisë dhe FSHS – 10.5 milionë euro


3.Ministria e Mbrojtjes – 10 milionë euro


4. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve – 7,5 milionë euro


5.Ministria e Punëve të Brendshme – 7 milionë euro


6. Ministria e Ekonomisë – 3,3 milionë euro.  

Asnjë ministri nuk është kursyer nga këto shkurtime. Të gjitha ministritë kanë qenë të obliguara që t’i ofrojnë projektet të cilat do të jenë pjesë e rebalancit, secili ministër domosdo është dashur të shkurtojë 29 për qind e shumave të planifikuara në segmentin për shpenzime kapitale. 

Në projektimet e reja shkalla ambicioze e rritjes ekonomike, prej 4.5 për qind u vu në 2.5 për qind rritje për sivjet. Të mëdha ishin projektimet për investime, për të cilat u projektua rritje prej 8.5 për qind dhe për rritje të punësisë prej 3 për qind. 

Nga ana tjetër, Qeveria llogariti shkallë të re më të lartë të inflacionit prej 2.8 për qind, që tregon pritje për jetesë më të shtrenjtë në këtë vit 2012. Por për atë janë garantuar rrogat e administratës, shkallë buxhetore prej 369 milionë euro, për pensionet dhe subvencionet për bujqit.

Rritje reale dhe e qëndrueshme ekonomike?

Fakti se rebalanci i buxhetit ndodh vetëm tre muaj pas skadimit të këtij viti buxhetor sipas opinionit të ekspertëve është tregues se projeksionet janë tërësisht të gabueshme, ekonomia është në krizë, ndërsa buxheti ka problem që t’i paguajë obligimet. 

Për dallim nga Qeveria, e cila projektoi rritje ekonomike prej 4.5 për qind, institucionet ndërkombëtare financiare dhe Banka Botërore që para fillimit të vitit, i përllogaritën rreziqet në projektimet e tyre.

Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar sivjet rritja ekonomike do të arrijë 2 për qind, sipas Bankës Botërore 2.5 për qind, sipas Bankës Investuese Evropiane 1.8 për qind, ndërsa Banka Qendrore të Maqedonisë projektoi rritje ekonomike prej 2.5 për qind deri në 3 për qind. Shkallë afatgjate dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike mund të sigurohet vetëm me investime kapitale, konsiderojnë ekonomistët.

Zoran Ivanovski , profesor universitar thotë: “Nuk mund të presim rezultate dhe kthesë të mjeteve të investuara nga projekte të cilat këtë nuk mund ta ofrojnë. Investimi në gazifikimin, në kompani të reja energjetike janë ato që definitivisht i duhen Maqedonisë. Çështja është pse kemi dështime. Mendoj se forma e tërheqjes së investitorëve është jopërkatëse. Investimet kapitale do të jenë viktimë e këtij rebalanci, por jo edhe rrogat e administratës. 

Buxheti ishte shumë ambicioz, prandaj shkurtimet ishin të pritura, thotë Menderes Kuçi, kryetar i OEMVP-së.

Menderes Kuçi – kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë: “Ne parashikuam se do të ketë shkurtime sepse buxheti ishte tejet ambicioz, po ashtu mendoj se jo vetëm që ishte tejet ambicioz, por kishte edhe prapavijë politike. Por edhe përkundër asaj që do të ketë shkurtime, ajo që më dëshpëron është se do të ketë rritje të rrogave në administratë”.

Ish-ministri i Financave Poposki tregon se rrezikun mbi ekonominë ende nuk ka tejkaluar vendin. “Rrethanat në ekonominë globale dhe atë të BE-së tani sërish shkojnë në drejtim të keq ndaj kujdesi duhet të jetë më i madh se zakonisht. Mendoj se Qeveria e Maqedonisë e cila është e fiksuar vetëm me imazhin e saj momental në opinion nuk ka sa duhet mirëkuptim mbi këtë, “ konsideron Popovski.

Ekskluzivisht për Portalb, Aneta Dodevska- gazetare e ekonomisë

Lajme të ngjashme

Back to top button