Qeveria e Palestinës furnizon Gazën me energji elektrike

 Qeveria e Palestinës heq dorë nga praktika e reduktimit të energjisë elektrike për Rripin e Gazës dhe merr vendim për ofrimin e 50 megavat të energjisë elektrike për këtë rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Palestinës, Rami el-Hamdallah, në një deklaratë me shkrim është shprehur se, “Vendimi është marrë me udhëzimin e presidentit të Palestinës, Mahmud Abbas. Abbas ka marrë këtë vendim në kuadër të rëndësisë së kushtuar për unitetin e atdheut dhe me dëshirën e lehtësimit të problemeve të qytetarëve në qytetet jugore (Gaza)”.

Abbas, në muajin prill të vitit të kaluar kishte nisur një sërë praktikash kundër Rripit të Gazës, si përgjigje kundër themelimit të “Komitetit Administrativ” nga Hamasi me qëllim të inspektimit të ministrive. Në mesin e këtyre praktikave ndodhet edhe reduktimi për 30 për qind i rrogave të shërbyesve civilë në Gaza, nxitja e disave prej tyre në pensionim si dhe reduktimi i energjisë elektrike në rajon.

Qeveria palestineze kishte shkuar në reduktimin prej 30 për qind të pagesës mujore për energjinë elektrike të marrë nga Izraeli, ku pas kësaj edhe qeveria izraelite kishte shkuar në reduktim të energjisë elektrike të dhënë për Gazën.

Pas uljes së furnizimit me energji elektrike për 32 megavat nga pala izraelite, kriza e energjisë elektrike në Gaza u thellua edhe më shumë, ku ky rajon furnizohej vetëm me 4 orë energji elektrike në ditë.

Në një deklaratë të mëparshme, presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, ishte shprehur se praktikat në fjalë kanë për qëllim detyrimin e Hamasit për përfundimin e ndarjes aktuale, shfuqizimin e Komitetit Administrativ dhe për dorëzimin e administrimit të Rripit të Gazës në qeverinë e Pajtimit Kombëtar.

Në tetor të vitit 2017, grupet rivale palestineze Hamas dhe Fatah nënshkruan një marrëveshje pajtimi në Kajro me qëllim të tejkalimit të përçarjes së tyre dhjetëvjeçare pasi Hamasi mori Gazën nga Fatahu në vitin 2007 pas luftimeve në rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button