Shkarkimet, partnerët e koalicionit të koordinuar mes vete

Partnerët e koalicionet Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti i kanë shkëmbyer qëndrimet e tyre lidhur me valën e re të shkarkimeve në administratën shtetërore.

Alsat M mëson se liderët e partive në pushtet, kanë zhvilluar një takim para dy ditësh, ku përveç gjendjes së sigurisë në vend, në qendër ka qenë edhe ideja e rifreskimit kadrovik  të administratës. Por sot Gruevski mohoi të jetë takuar dhe të ketë biseduar rreth kësaj çështjeje me Ahmetin.

‘Kryeministër, a biseduat me Ali Ahmetin se cilat poste do të ndërronit tek ata?’.

‘Nuk jemi takuar’, përgjigjet shkurt Gruevski. 

Dje edhe BDI-ja konfirmoi se po vlerëson punën e çdo funksionari të partisë në qeveri, si dhe raportet e tyre të dorëzuara me shkrim. Së shpejti organet qendrore të partisë do të marrin vendime konkrete.

Nga ana tjetër, Gruevski njoftoi sot se përveç 150 funksionarëve të eshalonit të dytë dhe tretë do të shkarkohen edhe 2/3 e kryetarëve të komiteteve partiake komunale deri në muajin korrik.

“Vala e re do të përfshijë edhe partinë brenda, kuptohet ata që tani e ushtrojnë funksionin dhe që do të ndërrohen, përsëri do të jenë njerëz që do të punojnë aktivisht në parti, por ndonjëherë duhet të bëhen hapa prapa që njeriu t’i mbush bateritë, të vështrojë prapa dhe të përgatitet për sfida të reja… Këtë e filluan javën e kaluar dhe deri në korrik besoj se do ta përfundojnë. Në periudhën e njëjtë presim që të ndryshojmë rreth 150 funksionarë… kjo duhet të fillojë nga fundi i prillit fillimi i majit dhe të përfundojë diku në korrik. Sepse për shumicën e vendeve do të nevojiten konkurse”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Kryeministri Gruevski një ditë më parë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të interesuar të paraqiten në konkurse për vendet që do të mbeten boshe nga këto lëvizje, pasi siç u shpreh kuadrot nuk duhet domosdoshmërish të jenë njerëz partiak por të jenë profesionistë. 

Marre nga: Alsat m

Lajme të ngjashme

Back to top button