2017-ta, NJË VIT QË S’HARROHET

Vitin e ri e prita me familje e kushërinj jashtë Shkupit. Vonë, shumë vonë u kthyem. Kur po i afroheshim qytetit na priti ai lëmshi i madh i ndotjes së ajrit, i zi, që e ka e ka futur në përqafimin e tij të hekurt krejt hapësirën e gjerë të kryeqytetit, ndërsa dritat e rrugëve që në hyrje ishin të turbullta, mezi të dukshme. Stolitë për festat e fundvitit të vendosura nëpër sheshe e rrugë dukeshin të mjera. Ndjehej era e rëndë e grimcave të mallkuara. Edhe “kontributi” i madh i hajlazave që kishin përdorur gjithfarë lëndësh plasëse nuk ka qenë për nënçmim këtë natë të ndërrimit të motmoteve.

Frymëmarrja në qytet, brenda, u bë më e vështirë. Djegin mushkëritë. Ngutemi të arrijmë në shtëpi, thuajse këtu do ta kemi më mirë…

Hyjmë në shtëpi me shalla mbështjellë rreth gojës e hundëve, ngase nuk e dimë se çfarë maskash duhen për këso rastesh. Nuk e dimë as ku t’i gjejmë dhe sa kushtojnë.

Menjëherë e kontrollojmë gjendjen e ndotjes në telefonat celularë. Ndotja është tmerrësisht përtej kufijve të lejuar! O zot, them, a ka këtu ministër për mbrojtjen e ambientit, a ka kryetarë komunash dhe ku janë masat që duhet t’i ndërmarrë pushteti për të na mbrojtur nga kjo situatë e rëndë?!

Tash, them, nuk bëjnë punë më vendet për matjen e ndotjes, kur ajo i e kapërcen shtatë herë, dhjetë herë e disa grimca edhe pesëdhjetë herë sasinë e lejuar.

Ne duhet ta pranojmë se jetojmë në një qytet i cili është shndërruar në dhomë gazi.

Gjendja mbeti e njëjtë në këtë vit. Vazhdon avazi i vjetër.

Ditën e parë të vitit, thashë, do të shkoj nesër të ankohem në Ministrinë për mbrojtjen e ambientit ose në inspektoratin përkatës. Disa miq më thonë – te ministrat s’arrin qytetari i thjeshtë. As inspektorati nuk bën punë.

* * *

Çfarë bën vallë Ministria për mbrojtjen e ambientit dhe për planifikim hapësinor? Nuk dihet, por e dinë të gjithë se nëpër disa lagje të Shkupit me të madhe hidhen mbeturinat nga dritaret e ndërtesave, oborret e shumë institucioneve publike janë të stërmbushura me mbeturia të llojeve të ndryshme, nuk dihet a ka mbetur ndonjë peshk dhe ndonjë shtazë tjetër e ujit në Vardar e Treskë, ndërsa sipërfaqja e Treskës është përplot shishe plastmase, nëpër degët e parqeve kanë mbetur qese najloni, njerëzit i sheh si i hedhin cigaret e ndezura nga vetura në rrugë e në autostrada. I hedhin në autostradë edhe shishet e plastmasës, lëvoret e bananeve, qese e gjera të tjera. Nëpër vende të mbyllura publike shpesh pihet duhan, anise me ligj është e ndaluar. Natën e vitit të ndërrimit të motmoteve, edhe pse ka pasur ndalim nuk pushuan gjithë natën shpërthimet e petardave dhe të mjeteve të tjera të ngjashme. Them se i kaluan kufijtë e durimit dhe aq më keq është se atë natë ajri në qytet ka qenë skajshëmrisht i ndotur.

As Inspeksioni nuk merr masa. As ministria.

* * *

Vitin e kaluar, më thonë miq e shokë, harroje. Kemi pasur një vit të vështirë. Mos u përsërittë!

Pikërisht për këtë arsye, për shkak të vështirësive, mendoj unë, nuk duhet ta harrojmë. Duhet ta mbajmë në mend për të keq: rrëmuja dhe agresiviteti i paparë në Kuvend, me ç’rast u lënduan disa funksionarë të LSDM-së dhe pati atentat klasik kundër kryetarit të Aleancës për shqiptarët, i cili mezi i shpëtoi më të keqes, kemi qenë dëshmitarë të lojërave të papastra politike lidhur me gjyqësinë të cilën e kontrollonin forca politike të së kaluarës dhe nuk lejonin reforma, nuk lejonin as ndërrimin e prokurorit dhe zgjedhjen e prokurorit të ri, zgjedhjet i kemi përcjellë me ankth, veçanërisht njerëzit kanë qenë të e dëshpëruar nga partia politike shqiptare në pushtet, nga gafet e presidentit të shtetit, i cili e vazhdonte avazin e vjetër duke shprehur dyshime të pabaza për ndryshimet që duheshin bërë, nga ekonomia që binte çdo ditë në një krizë, nga fakti se rinia largohej nga vendi duke i boshatisur fshatrat, nga ndotja e vazhdueshme e ajrit në Tetovë, Shkup e vise të tjera.
* * *
Pas formimit të shumicës së re parlamentare, kishte shpresa të mëdha për ndryshime rrënjësore. Por, ndodhi që pushteti i ri ndërhyri në zgjedhjet vendore, duke i siguruar fitore partisë shqiptare BDI, kundër së cilës ka folur gjatë kohë. Kështu zgjedhjet në disa komuna shqiptare sërish i fitoi BDI-ja. Në fund e shijuam edhe hidhëtinë e largimit joparimor të Aleancës për shqiptarët nga qeveria. Ishte ky një largim i bërë me marrëveshje midis dy partive më të mëdha në pushtet, pas prerjes në besë të një pjesëtari të koalicionit të Aleancës, i cili pa ndonjë arsye iu bashkëngjit BDI-së dhe pas kalkulimeve ndërpartiake të dy partive më të mëdha.

Tash shpresat janë para një pikëpyetjeje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button