Berisha: Unë, jo president. Nano s`më ka kërkuar takim

Kryeministri Berisha ka deklaruar se ish-kryeministri Nano nuk ka kërkuar takim me të për një mbështetje të tij si kandidat për president të vendit. Ndërsa ka vizituar ekspozitën e Ibrahim Kodrës, kryeministri Berisha është pyetur në lidhje me deklaratën e Nanos për kandidimin e tij si president të vendit. 

“Ish-kryeministri Nano nuk ka kërkuar ndonjë takim me mua, të paktën në dijeni time. Natyrisht janë të njohura deklaratat e tij por ish-kryeministri e ka derën të hapur në çdo rast që ai kërkon të takohet me kryeministrin” theksoi Berisha.

I pyetur nga mediat në lidhje me emrat e propozuar nga PD-ja si kandidatë për president, Kryeministri Berisha ka përjashtuar veten e tij nga kjo garë.

“Atë që që mund t`ju them është vetëm kjo se Sali Berisha nuk do të jetë sepse kam një vendim përfundimtar. Në 2009 kam dalë si kryeministër me një program që do ta zbatojë deri ditën e fundit të mandatit 4-vjeçar dhe nuk mund ta imagjinoj veten që të shmanget qoftë edhe 1 sekond nga fushëbeteja. Pra e kam theksuar se nuk besoj që qytetarët do të donin të konstatonin që Sali Berisha është shumë i dhënë pas karrigeve dhe shfrytëzon momentet për të kaluar nga njëra tek tjetra. Pasioni im është qytetari me problemet e tij” ka theksuar kryeministri. 

Megjithë insistimin e mediave për të dhënë disa nga emrat të cilët do të jenë kandidate, kryeministri theksoi se asnjë emër nuk është konfirmuar por edhe as përjashtuar si kandidatë.  “Ju garantoj që asnjë emër nuk është në mendjen time nuk ekziston asnjë i konfirmuar dhe as i përjashtuar nga emrat që qarkullojnë. Kam thënë se do të jetë një personalitet nga Partia Demokratike dhe PD-ja ka plotë personalitete.  Kush do të jetë ? Kjo është një çështje jo vetëm e imja por e forumeve, e aleatëve. Nuk përjashtoj nga konsultimet edhe opozitën. Procesi i zgjedhjes do të jetë një proces thellësisht kushtetues, natyrisht një proces i hapur dhe pa prapaskena. E kemi zhdërvjelltësuar Kushtetutën ne. E hoqëm tani atë nenin e krizës dhe e kemi bërë shumë të zhdërvjellët.” ka shtuar më tej Berisha.  

I pyetur në lidhje me tryezën e partive të vogla për reformën zgjedhore, kryeministri Berisha theksoi se PD-ja do të dërgojë përfaqësuesin e saj në këtë tryezë.

“Ne do të dërgojmë përfaqësuesin tone në këtë tryezë dhe ne do të dëgjojmë shqetësimet e tyre. Ne kemi qenë një forcë politike joarrogante prandaj do të dëgjojmë me vëmendje aleatët tanë” shtoi Berisha.

Kryeministri Berisha i është përgjigjur edhe akuzave  Partia Socialiste se mazhoranca po përpiqet të nxjerrë Gjykatën Kushtetuese jashtë funksionit.

“Sa herë kjo parti rekruton për deputetë të ardhshëm ndonjë punonjës, prokuror apo gjykatë na bën deklarata të tilla. Unë ju siguroj se Kushtetuta, vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë vlerën e normave kushtetuese në ligjin shqiptar, do zbatohen me rreptësinë më të madhe. Për sa u përket shqetësimeve, forca politike është e lirë të adaptojë, por unë mendoj se presione ndaj sistemit gjyqësor nuk duhet të bëhen” shtoi Berisha. /oranews

 

Lajme të ngjashme

Back to top button