Krizat ftojnë në pushtet teknokratët

Teknokratët dhe konservatorët jopasionantë kanë shanse të mira për pushtet në Evropën në krizë. Burokratët e pragmatikët preferohen tani ndaj karizmatikëve e glamorozëve. Deri kur?
Kur dy shtetet e Evropës Jugore, Greqia dhe Italia i ndërruan njëra pas tjetrës kryeministrat e tyre, kjo u konsiderua pasojë logjike e dështimit politik të të dyve. Jorgos Papandreu dhe Silvio Berlusconi u përpoqën me ngulm të qëndronim në pushtet, por ishin shndërruar me ngurrrimin, përkatësisht stilin e jetës së tyre në frenues të masave urgjente, të nevojshme për nxjerrjen e vendeve nga kriza apo falimentimi.

Logjika ekonomike përballë dinjitetit nacional

Rreziku për falimentimin e shtetit grek kërkonte mendësi krejt të reja nga politikanët grekë: veprime të shpejta, të bazuara në logjikën e ftohtë të kalkulimeve ekonomike. Kurse Jorgos Papandreu u tregua në kulmin e acarimit të krizës një politikan ideolog, në vazhdën e traditës së tij familjare: me referendumin për ndihmat e BE dhe anëtarësimin në eurozonë, që u përpoq të organizonte papritur në tetor 2011, ai vuri përballë dinjitetin kombëtar, të nëpërkëmbur, sic u tha, nga masat e pamëshirshme të kursimit BE dhe Evropën. Dhe humbi.

Në Itali, kriza në ekonominë e tretë të eurozonës, kërcënonte drejtpërdrejt eurozonën. Kurse Silvio Berluskoni, i famshëm për skandalet dhe temperamentin impulsiv të tij akuzonte në fjalime agjencitë e klasifikimit dhe vendet evropiane se po e nxinin situatën në vendin e tij, duke e futur në krizë.

Lukas Papadimos dhe Mario Monti, që i pasuan në post dy kryeministrat e pafat, nuk mund të ishin më të ndryshëm se parardhësit e tyre: seriozitet në vend të një jete me skandale, vendime të qeta e pa pasion, në vend të vendimeve ideologjike dhe impulsive. Italia e qeverisur nga një konservatorizëm i ri. Qeveria punon në mënyrë transparente: të gjithë anëtarët e qeverisë kanë deklaruar të ardhurat dhe pasuritë e tyre. Që Mario Monti po tregon, vec aftësive të teknokratit, dhunti edhe në politikën e jashtme, kjo ishte një dhuratë e papritur për italianët.

Besim ngjallin kundërshtarët e eksperimenteve

Teknokratët drejtojnë qeveritë evropiane. Në Francë: François Hollande prin në sondazhe përballë presidentit Nikolas Sarkozy. Edhe këtu kemi në radhë të parë një dallim karakteresh, ndërsa dallimet përmbajtësore janë të dorës së dytë. Në një anë Sarkozy, superaktivi dhe glamorozi (Carla Bruni), politikani me preferencë për gjeste të mëdha. Në anën tjetër Hollande, një burokrat i pangjyrë, me logjikë të ftohtë, i menduar dhe pragmatik.

Në Gjermani, Angela Merkel ka muaj që ka zënë në anketime kulmet e preferencës së gjermanëve. Edhe ajo është një tip si Monti dhe Hollande. Jo snobiste, e rezervuar përballë eksperimenteve, që nxitet në veprimet e saj më shumë nga nevoja, se sa nga idetë. Kundërmodeli i vetëm i rrezikshëm i saj: Karl Theodor zu Guttenberg- dështoi keqas. Seriozja, konservatorja, e besueshmja, përballë karizmatikut, glamorozit, zbavitësit.

Ndjenja e krizës së vazhdueshme bën që njerëzit të mos preferojnë përgjigjet e thjeshta, bardh e zi. Premtimi për t’u përpjekur për zgjidhjen më të mirë është ai që i bind njerëzit. Ndaj atyre që përpiqen t’i bëjnë për vete me entuziazëm njerëzit, publiku po reagon me alergji. Kriza i bën njerëzit që të preferojnë ata që u ngjallin besim, përballë njerëzve me ide, konservatorët përballë kryengritësve. Teknokratët të preferuarit e Evropës në krizë. /dw

Lajme të ngjashme

Back to top button