Dieta jetike për shëndetin e zemrës, ul kolesterolin dhe tensionin e gjakut

Dieta DASH mund të ndihmojë në uljen e niveleve të kolesterolit dhe tensionit të lartë të gjakut, duke mbrojtur kështu edhe shëndetin e zemrës. Është një mënyrë e shëndetshme e të ngrënit, që ndihmon gjithashtu edhe në rënien në peshë.

Do të mund të konsumoni shumë fruta, perime dhe produkte të qumështit me pak yndyrë, ndërkohë që duhet të limitoni yndyrat, ëmbëlsirat dhe ushqimet me shumë kolesterol.

Kufizoni kripën

Teprimi me kripën shkakton grumbullim të lëngjeve në trup. Kështu ushtrohet shumë presion në zemër. Në dietën DASH rekomandohet jo më shumë se 2300 miligramë sodium, në varësi të moshës, gjinisë apo gjendjes shëndetësore. Kufizoni ushqimet e përpunuara pasi kanë përmbajtje të lartë në kripë.

Konsumoni drithëra

Drithërat si elbi, bollguri, orizi kaf janë një mënyrë e mirë për të marrë fibrat, lëndë ushqyese këto që ju mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë si dhe ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit.

Mbusheni pjatën me perime

Perimet sigurojnë vitamina, minerale dhe fibra. Ato nuk kanë përmbajtje të lartë në yndyrë dhe kalori, prandaj janë të mira për të mbajtur nën kontroll tensionin e gjakut.

Mos harroni frutat

Frutat ofrojnë shumë fibra dhe vitamina që janë të mira për zemrën. Shumë prej tyre kanë gjithashtu përmbajtje të lartë në kalium dhe magnez, që ulin tensionin e gjakut. Konsumoni 4 deri në 5 fruta në ditë të llojeve të ndryshme, si mollë, dardhë, banane etj

Konsumoni mish pa dhjamë dhe peshk

Mos hiqni dorë nga mishi, vetëm sigurohuni që ai të jetë pa dhjamë. Mishi është burim i mirë i proteinave dhe magnezit. Peshku dhe mishi i pulës duhet të përfshihen gjithashtu në menu.

Shtoni fruta të thata dhe thjerrëza

Frutat e thata, thjerrëzat dhe farat janë të pasura në magnez, proteina dhe fibra. Bajamet, për shembull, kanë përmbajtje të lartë në acide yndyrore omega 3, që ulin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.

Kufizoni yndyrat

Teprimi me yndyrat mund t’ju shkaktojë rritje të niveleve të kolesterolit dhe rrezikut për zhvillim të sëmundjeve të zemrës, me përjashtim sigurisht të vajit të ullirit ekstra i virgjër.

Kujdes me ëmbëlsirat

Nuk keni përse të hiqni dorë plotësisht nga ëmbëlsirat, megjithatë duhet të bëni kujdes në zgjedhjen e tyre, si dhe nuk duhet të konsumoni më shumë se 5 racione në javë. Konsumoni ëmbëlsira pa shumë yndyrë dhe pa sheqer të shtuar.

Merrni mjaftueshëm kalium

Kaliumi është një tjetër pjesë e rëndësishme e dietës DASH. Ky mineral ndihmon në uljen e tensionit të lartë të gjakut. Përpiquni që ta përfitoni atë nga ushqimet dhe jo nga suplementet. Merrni rreth 4700 miligramë në ditë./ Shendeti.com.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button