fbpx

Mediat në Maqedoni më vitin 2017 u shndërruan në “papagaj” partiak, a do të vazhdojë avazi i vjetër?

Turbulencat politike, sociale, ekonomike dhe institucionale kanë ndikuar edhe cilësinë e punës së mediave, të cilat, të ndikuara nga “qendrat e fuqisë”, kryesish partiake dhe sipërmarrëse, dështuan së distancuari nga gjuha e urrejtjes, ndikimet partiake dhe propaganda duke u shndërruar në “papagaj” partiak. Kështu e vlerësuan gjendjen e mediave në Maqedoni në vitin 2017 për Portalb.mk, kryeredaktori i portalit “Vërtetëmatës”, Vladimir Petreski, kryeredaktori i agjencisë së lajmeve “Meta”, Zoran Andonovski dhe drejtoresha e Këshillit të Etikës së Mediave në Maqedoni (KEMM), Marina Tuneva.

Megjithëse turbulenca mediale u tejkalua në gjysmën e dytë të vitit 2017, ata vlerësuan se që mediat të profesionalizohen dhe gazetarët të jenë etik është e nevojshme që ndryshimet ligjore që nisën të realizohen më vitin 2017, të miratohen dhe zbatohen më vitin 2018.

Vladimir Petreski
Vladimir Petreski

“Gjendja në media më vitin 2017 përgjithësisht ishte e mirë. E para dhe arsyeja kryesore e saj ishte ndryshimi i qeverisë, që sipas asaj që po shihet deri më sot nuk është qërim hesapesh politike duke përdorur gjuhë të urrejtjes, thirrje në dhunë, shpifjeve dhe ofendimeve. Që të kemi përmirësim të gjendjes së mediave ka ndikuar edhe mungesa e reklamave dhe propagandës, e cila erdhi nga humbja e parave të popullit. Para të popullit humbën edhe shumë media të cilat paraqisnin një kompleks indistrualo-medial të financuar nga qeveria paraprake e cila rezultoi me mbylljen e tyre. Pastrimi i diskursit publik dhe mënjanimi i gjuhës së urrejtjes nga një numër i madh i mediave, para se gjithash, nga frekuentimi i kanaleve televizive me koncesion nacional, si dhe shpagimi i aktorëve të skenës publike si përdorues të gjuhës së urrejtjes dhe propagandës është një ndryshim pozitiv i rëndësishëm i hapësirës mediale në Maqedoni”, tha Vladimir Petreski.

Sipas kryeredaktorit të “Meta”-s, Zoran Andonovski viti 2017 me të gjitha ngjarjet që e përshkuan Maqedoninë, për mediat ishte mbijetesë fizike.

“Viti i kaluar ishte ndër më turbulentet për ne mediat. Thjeshtë: mediat e treguan ardhmërinë e tërë shoqërisë. Kishim zgjedhje në atmosferë tensionuese, dhunë në Kuvend në të cilën një numër i madh i gazetarëve u sulmuan fizikisht, zgjedhje të qeverisë dhe ngjarje të ngjashme të cilat ishin sfidë edhe për informim, por edhe për mbijetesë fizike. Tash situata është qetësuar, janë hapur procese për reforma në sferën mediale, filloi dialog normal dhe era e re po ndihet gjithandej, ashtu edhe në media”, tha Andonovski.

Marina Tuneva
Marina Tuneva

Ndërsa drejtoresha e Këshillit të Etikës së Mediave në Maqedoni, Marina Tuneva, theksoi dy veçori të pasqyrës mediale në Maqedoni, ku nga njëra anë theksoi cenzurën mediale ndërsa nga ana tjetër vendosi zhvendosjen mediale duke mundësuar që të “dëgjohet zëri nga të gjitha anët”.

“Pasqyra për informimin medial më vitin 2017 është e ndarë. Nga njëra anë vazhdoi trendi i censurës dhe disa media vazhduan të ndikohen nga “qendra e fuqisë” siç janë partitë dhe ndërmarrjet, si pasojë e së cilës mediat u shndërruan në shërbime partiake, pa distancë në kritika dhe me informim të njëanshëm. Nga ana tjetër, gjatë vitit ka ndodhur edhe zhvendosja mediale dhe ka pasur përpjekje që të përmirësohet pasqyra e gazetarisë së viteve paraprake, e cila mundësoi që “të dëgjohet zëri nga të gjitha anët” me forma të ndryshme të informimit mediale. Ka edhe gazetari hulumtuese e cila po nxjerr në pah fenomene të shumta, por e cila shpesh herë është e financuar nga donatorë medial”, tha Tuneva.

Viti 2018: mediat para sfidës për të qenë profesionale dhe etike

Vladimir Petreski nga “Vërtetëmatës.mk” vlerësoi se viti 2018 do të jetë një vit i zbatimit të ndryshimeve ligjore që nisën nga viti 2017-të, megjithatë sipas tij sërish ato, jashtë kornizave ligjore duhet të përballen me ndikimin e rrjeteve sociale të cilat dëmtojnë modelin biznisor të mediave.

“Viti 2018 do të jetë vit i ndryshimeve të ligjeve për media apo, sërish, vit i zbatimit të ndryshimeve ligjore të cilat tashmë u sollën më vitin 2017. Ligji për radiodifuzion më pësoi ndryshime dhe nga tetori i vitit 2017 pagesa e taksave radiodifuzive u shkëput, në kuadër të së cilës Radio Televizioni i Maqedonisë financohet nga buxheti. Është ndryshuar edhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të institucionit në Agjencinë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale, tashmë debati për ligjin e mediave është zhvilluar kurse nga ana tjetër do të ndryshohet edhe ligji për qasje deri te informatat me karakter publik. Nëse miratohen ligjet, të gjitha këto masa duhet ta përmirësojnë gazetarinë dhe gjendjen në media në plan profesional, që mediat dhe gazetarët të mund të bëjnë ballë sfidat tjera të profesionit, të cilat ndërlidhen me ndryshmet e shpejta teknologjike, ndikimin e rrjeteve sociale të cilat dëmtojnë modelin biznisor të mediave”, tha Petreski.

Zoran Andonovski
Zoran Andonovski

Ndërkaq Zoran Andonovski nga “Meta.mk” vlerësoi se edhe nëse do të kishim qeverisje më demokratike të mundshme, sërish për mediat do të jetë sfidë për mosdhënien e hapësirës mediale.

“Mendoj se më vitin 2018 ndër sfidat më të mëdha do të jetë që hapësira mediale të rruhet dhe të mbrohet pasi që çdo qeverisje, ashtu edhe më demokratikja, anon në marrjen e hapësira dhe lirisë mediale. Kjo, bashkë me krijimin e klimës për një realitet të ri, evropiane dhe demokratike, do të jetë sfida dhe testimi më i vështirë për ne gazetarët”, tha Andonovski.

Sipas Marina Tunevës nga KEMM sfida më e madhe e mediave do të jetë vetërregullimi dhe zbardhja e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve.

“Më vitin 2018 është e rëndësishme që të respektohen standardet etike dhe profesionale gjatë informimit dhe të merret parasysh: se mediat duhet të largohen nga “qendrat e fuqisë”, se disa media vendosën të bëhen klienteliste duke i shtypur mediat tjera, se gazetarët ngelën pa punë pas mbylljes së gazetave të ndryshme, se onlajn mediat u bënë burim i lajmeve të rreme dhe të punohet intenzivisht që të punohet në krijimin e atmosferës ku mediat nuk do të jenë instrument i partisë. Është e rëndësishme që mediat të veprojnë në mënyrë të pavarur, të largohen nga trysnitë partiake, por edhe të kenë rol efektiv në tejkalimin e indiferencës qytetare. Është e rëndësishme që të pranohet edhe vetërregullimi, të punohet në kushtet e punës në vetë mediat dhe të punohet më shumë në zbardhjen e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve”, tha Tuneva.

LEXO: “Raportuesit pa kufij” publikoi raportin për mediat, Maqedonia më keq në rajon

Përndryshe, se gjendja e mediave në Maqedoni nuk ka qenë në nivelin e duhur tregoi edhe raporti i “Raportuesve pakufij”, ku në krahasim me vitin 2016 edhe pse Maqedonia u gjend 7 vende më lartë, sërish ishte më e keqja në rajon. Në raport u tha se sundimi i ligjit në Maqedoni, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka pësuar erozion. Shpifja në media u hoq nga Kodi Penal që nga viti 2012 por ajo u zëvendësua me gjoba të rënda dhe burgosje ndaj gazetarëve dhe pronarëve të mediave.

LEXO: Raportuesit pa Kufij: Qeveria duhet ta zbardh dhunën ndaj gazetarëve

Raportuesit pa kufij më herët reaguan për sulmet që u bënë ndaj gazetarëve në protestën e “Maqedoni të përbashkët”. Nga kjo organizatë për Maqedoninë thonë se ka pasur shumë raporte për kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve edhe gjatë protestave të 2016 por se përgjegjësit e tyre shumë pak u dënuan. Më lartë e rangua Bosnja e Hercegovina duke zënë vendin 65, për tu pasuar nga Serbia në vendin e 66. Pas tyre vjen Shqipëria në vendin e 76 dhe Kosova në të 76-n.

LEXO: Dezir: Reforma pozitive mediale, por megjithatë nevojite përmirësim

Ndryshe, pas formimit të qeverisë dhe ndërrimit të pushtetit, në mesin e nëntorit në Maqedoni i pranishëm ishte përfaqësuesi i OSBE-së për liri të mediave, Arlem Dezir, i cili shprehu se ka reforma pozitive në sektorin mediatik, por se ajo duhet të përmirësohet edhe më shumë. Si pozitive ai e theksoi vendimin e Qeverisë që t’u sigurojë qasje falas gazetarëve deri te dokumentet e Regjistrit qendror dhe Agjencisë për kadastër të patundshmërive dhe ta pezullojë reklamimin qeveritar në të gjitha mediat.

LEXO: Qeveria e Maqedonisë pa iniciativë për parandalimin e lajmeve të rrejshme

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close