Krasniqi takoi të rinjtë e partive politike shqiptare

Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, për të shënuar 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë temë kryesore në takimin që sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka zhvilluar me përfaqësues të forumeve rinore të partive politike shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Krasniqi e vlerësoi si një iniciativë të mirë bashkimin e forumeve rinore, për të dhënë kontribut në shënimin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo tha ministri, do të pasurojë edhe më shumë gjithë atë agjendën zyrtare të aktiviteteve për të shënuar këtë përvjetor, dhe shtoi se kështu merr edhe një jehonë edhe më të madhe festa gjithëkombëtare shqiptare, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ai i ka njoftuar përfaqësuesit në lidhje me agjendën që Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë përgatitur për këtë përvjetor, por tha se ekziston një vullnet nga të dyja palët, që kjo agjendë të plotësohet, por edhe të përkrahen edhe aktivitete tjera, jashtë kësaj agjende, por që e madhështojnë festën.

Ministri Krasniqi, që njëherësh është edhe kryetar Rinisë Demokratike të Kosovës, i njoftoi mysafiret me përgatitjet dhe aktivitetet që pritet të organizohen dhe ofroi përkrahjen e plotë të tij për idetë që do të dalin nga forumet.

Ai vlerësoi se është mjaftë e rëndësishme që të rinjtë nga partitë politike, të lënë dallimet mes vete dhe të punojnë bashkërisht për të shënuar sa më në mënyrë dinjitoze përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për të qenë si një trup i përhershëm që do të japë kontributin e vet në zhvillimin e gjithmbarshëm të kombit.

Përfaqësues të këtyre forumeve, falënderuan ministrin Krasniqi për pritjen dhe gatishmërinë që të japë përkrahje të plotë në iniciativat e ndërmarra.

Krasniqi theksoi nevojën që të ketë takime edhe në ditët dhe javët në vazhdim, në mënyrë që të ketë një plan konkret për aktivitete që do të organizohen me iniciativën e forumeve. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button