BDI, BESA dhe ASH nuk kanë vlerësim për 2017-n madje asgjë nuk presin nga 2018-ta!

Tre partitë më të mëdha shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) nuk kanë asnjë vlerësim për mënyrën se si u zhvillua politika në Maqedoni gjatë vitit 2017, shkruan Portalb.mk.

Që të tri partitë nuk shprehen as se çfarë presin nga viti 2018.

Në vazhdën e kronikave të fundvitit në sfera të ndryshme, të cilat Portalb.mk i ka përgatitur gjatë kësaj periudhe, njëra ka të bëjë edhe me çështjet politike. Megjithëse, edhe te telefonuar dhe të njëjtëve me mesazh iu dërgua pyetja, sërish nuk ka përgjigje.

Të gjithëve iu parashtrua e njëjta pyetje: Nga mënyra se si rrjedhën ngjarjet në politikën e Maqedonisë si e vlerësoni vitin 2017 dhe çfarë pritni ndryshe në vitin 2018?

Heshtje!

Nga ana tjetër, viti 2017 u karakterizua me ngjarje të shumta politike. Si rezultat i zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 11 dhjetor të 2016-s, u ndërrua qeveria pas më shumë se 5 muaj bisedime ndërmjet partive më të mëdha. Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti me 10 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë fillimisht koalicionoi me VMRO-DPMNE-në e cila kishte 51 deputetë. Pas dështimit, nisi koalicionin me oponentin tjetër politik, Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë e cila kishte 49 deputetë. Bisedimet u zvarritën për shkak se kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov me muaj nuk ia dha mandatin lideri të LSDM-së, Zoran Zaev, me arsyetimin se ai po koalicionon me Platformën Shqiptare, deklaratë kjo që u përpilua nga partitë shqiptare për të bërë “pazarllëk qeveritar”.

Për shkak të numrave, bisedimet për formimin e qeverisë u zgjeruan edhe me BESA-n e cila kishte 5 depuetë dhe Aleancën për Shqiptarët me tre deputetë, por Besa u largua. Pas dy ditësh diskutimi për përbërjen dhe programin e ri qeveritar në Kuvendin e Maqedonisë, në ora 23:50 të 31 majit të 2017-s u zgjedh Qeveria e re e Maqedonisë në krye me liderin e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev. Me 62 vota “për”, 44 “kundër” dhe 5 “të përmbajtur” deputetët e LSDM-së, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleancës për Shqiptarët i thanë PO Qeverisë së re.

Në fillim LSDM u përfaqësua me 17 ministra në Qeveri, mirëpo, në mesin e dhjetorit të 2017-s ajo e rriti këtë numër edhe për një, pasi që mori edhe Ministrinë e Shëndetësisë e cila më parë udhëhiqej nga Aleanca për Shqiptarët. BDI është me 6 ministra në Qeveri. Ndërsa Aleanca për Shqiptarët si koalicion parlamentar i ish LR-PDSH tash Aleanca për Shqiptarët dhe RDK mori dy ministri.

LR-PDSH para zgjedhjeve lokale ndërroi emrin e partisë, kaloi në Aleanca për Shqiptarët. Për shkak të zgjedhjeve lokale ASH-ja e tërhoqi ministrin e Shëndetësisë për ta kandiduar për kryetar komune. Largimi i Arben Taravarit nga Ministria ndryshoi edhe përbërjen qeveritare, dhe si pasojë e asaj se ASH-ja ngeli pa ministri, në vend të së cilës iu propozua një ministri e re që u quajt “ministria për reforma”, doli nga qeveria.

Sot në Qeverinë e Maqedonisë janë dy parti, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, por edhe njëri partner i koalicionit, Aleanca për Shqiptarët, RDK e cila udhëheqë me Ministrinë e Pushtetit Lokal. Kishte edhe largime nga koalicionet, për shembull deputeti Amdi Bajram i cili më parë ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në, në dhjetor doli nga koalicioni për të vepruar si deputet i pavarur ndërkaq, deputeti i koalicionit Aleanca për Shqiptarët, Vesel Memedi nga RDK u tha se kaloi në BDI.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button