Spanja pret sot Barça-Real

SPANJE- Klasikja e gjashtë sezonale vlen sa titulli kampion. Reali i Madridit nuk humbet në kampionat pikërisht që nga ndeshja e fundit me Barcelonën, në dhjetor të vitit të shkuar, por ndërkohë ka parë që avantazhi i tij është reduktuar nga +10, në +4 pikë. 

Sot në mbrëmje, në “Kamp Nou”, dy ekipet më të mira të Spanjës, por jo vetëm, do të përballen në një ndeshje historike. Duket si një lojë shahu për Pep Guardiolën dhe Barcelonën e tij, pasi, në rast se nuk fiton në përballjen e sotme pas 4 vitesh dominim, titulli kampion do të bëhej një utopi. Deri më tani, tekniku katalanas e ka fituar gjithnjë kampionatin, në fillim në kategorinë e tretë dhe tre herë në të parën. Pas klasikes së sotme, mbeten edhe 4 ndeshje të tjera deri në fund dhe është kjo arsyeja përse Realit i bëjnë punë dy rezultate nga tre të mundshme. 

Megjithatë, Aitor Karanka, që ka dalë sërish në vend të Murinjos para mediave, ka deklaruar se Reali do të shkojë në “Kamp Nou” për të bërë ndeshjen. Por, është fakt se në 5 klasiket sezonale (2 në Superkupë, 2 në Kupë dhe 1 në kampionat), Reali nuk ka fituar asnjëherë, duke koleksionuar dy barazime dhe tre humbje, nga 5 humbjet që kanë në total madrilenët. 

Barcelona ndërkohë vjen në këtë ndeshje pas 11 fitoresh radhazi në kampionat dhe një disfate 1-0 në Londër përballë Çelsit. Murinjos i duhet të vendosë nëse do të hedhë në fushë 3 mesfushorë difensivë, ndërsa Guardiolës i duhet të zgjedhë partnerin e Mesit në sulm dhe se çfarë duhet të bëjë me Pike, që në “Stemford Brixh” qëndroi në stol. 

Një kuriozitet është fakti se asnjë prej dy skuadrave nuk ka shkuar në grumbullim mbrëmjen e djeshme. Reali ka bërë atë që bën zakonisht Barcelona, pra do të udhëtojë për në Katalonjë sot dhe do të rikthehet në mbrëmje, pa fjetur në këtë qytet. Sa u përket sfidave personale, Murinjo ka fituar vetëm një nga 11 klasiket e zhvilluara, finalen e Kupës së Mbretit në kohën shtesë. Ndërsa Guardiola ka 9 fitore, 4 barazime dhe vetëm humbjen në finalen e Kupës ndaj Realit. Nga lojtarët, Pujol luan klasiken e tij të 25-të kundër Realit, ndërsa Kasijas e Ksavi përballen për herë të 30-të. Pastaj janë dy superlojtarët, Mesi e Ronaldo, që kanë realizuar secili nga 41 gola. Në 10 ndeshjet e fundit në La Liga, argjentinasi ka shënuar 14 herë, ndërsa portugezi 13. 

Ndeshja pritet të ndiqet nga të paktën 400 milionë shikues në gjithë botën. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button