Eco Guerilla: Komuna e Tetovës të bëjë detyrat e veta për të ulur ndotjen

Lëvizja “Eco Guerilla” u bën thirrje qytetarëve të Tetovës që sipas mundësive të kufizojnë sa më shumë lëvizjen me veturat e tyre, si pasojë e keqmenaxhimit nga Komuna e Tetovës që për vite me rradhë e lë Tetovën pa transportit publik, njofton Portalb.mk.

“Në mungesë të masave dhe rekomandimeve që duhet të ndërmerren nga Komuna e Tetovës për të zbutur, e më tej për të zgjidhur problemin me ndotjen e ajrit në Tetovë, ne ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tetovës që gjatë këtyre ditëve sipas mundësive të kufizojnë sa më shumë lëvizjen me veturat e tyre. Si pasojë e keqmenaxhimit nga Komuna e Tetovës që për vite me rradhë na lë pa transportit publik, paparkingje nëntokësore ose në kate, pa zhbllokimin e bulevardeve kryesore dhe me neglizhencën e inspektoratit ekologjik komunal për të parandaluar ndërmarrjet që ndotin, tetovarët gjatë viteve të fundit ekspozohen në ndotje ekstreme të ajrit me pasoja serioze për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, posaçërisht të fëmijëve”, thuhet në reagim.

Ata e theksojnë edhe paaftësinë e pushtetit lokal që t’u mundësojnë qytetarëve ngrohje me gaz apo energji të tjera alternative, që të mos përdoret ngrohja me dru që është shkak për ndotjen e ajrit.

“Siç dihet Tetova është qytet që ngrohjen diku rreth 80-90% e ka me dru. Në ditët e ftohta të dimrit, kur edhe procesi inverziv i shtypjes së ajrit është i ulët, shkaktar tjetër për ndotje është edhe ngrohja me dru. Mospasja e alternativave tjera për ngrohje si ajo me gaz apo energji të tjera alternative, janë rezultati i paaftësisë së pushtetit lokal dhe atij qendror që me vite nuk zgjidhën këtë problem serioz për qytetarët”, thonë nga Eco Guerilla.

Ata gjithashtu theksojnë se presin që komuna të merr masa të reja që të pastrojnë rrugët me pluhur, t’i largojnë veturat e paregjistruara që bllokojnë rrugët dhe masa të tjera, si dhe i ftojnë qytetarët jenë më të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe kur trafiku është i stërngarkuar.

“Presim nga Komuna e Tetovës që të pastrojë rrugët e stërmbushura me pluhur, pasi aty më së shumti gjinden grimcat PM10. Largimi i veturave të havarisura dhe të paregjistruara që bllokojnë rrugët, trotuaret dhe hapësirat publike poashtu është detyrim ligjor i komunës, gjë që deri më sot nuk është realizuar. Moshapja e qarkores së qytetit e cila do lidhte fshatrat në drejtimin Poroj-Jazhincë është një problem i vazhdueshëm për trafikun e stërngarkuar të Tetovës.

Eco Guerilla ju fton të jeni më të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe kur trafiku është i stërngarkuar edhe si rezultat i festave të fundvitit dhe i ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje. Edhe pse sot nuk kemi nivelin e ndotjes si para dy-tre viteve, kur niveli i PM10 arrinte deri në 800-900, ne me ngulm kërkojmë që të ulet në nivelet e lejuara. Përveç institucioneve shtetërore, edhe ne si qytetarë duhet të tregohemi të përgjegjshëm edhe si individë, për çdo dukuri negative që ndikon ambientin tone”, theksojnë nga Eco Guerilla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button