Hazdisja pushtetare

Ajo është e njëjtë në të gjitha kohët. E pandryshueshme. Ma do mendja që kështu ka qenë që në kohët e vilajeteve turke dhe më tutje edhe sot në periudhën e demokracisë, qofshin në pushtet të kaltërtit apo të kuqtë. Eshtë e njëjta hazdisje e pashallarëve, spahive dhe sejmenëve të tyre, qatipëve, shehlerëve dhe kadilerëve, e njëjta si e malokëve që u bënë modernë, e gjyqtarëve, administratës turkoshake a prosllave, ministrave dhe ushtarakëve që vunë spaletat e “llavave”, inspektorëve dhe sekretarëve shtetëror të deputetëve që transformohen aq çuditshëm, të ministrave, drejtorëve, këshilltarëve, të nëpunësve që diçka kanë në dorë për hallet e njerëzve.

Le ta lëmë të shkuarën e të bisedojmë për kohën që rrojmë. Pse ndodh pra kjo gjë? Pse hazdisja pushtetare mbizotëron jetën tonë sot? Pse pushtetarët transformohen rrufeshëm dhe nxjerrin në pah arrogancën, prepotencën, mëndjemadhësinë, intolerancën, shpërfilljen për mendimin alternativ?

Shumë njerëz të thjeshtë zhgënjehen me kohë nga ish shokë apo miq të tyre që u sjell hera të marrin ndonjë karrige e post. Nuk e dinim, thonë, se pakëshin qenë kështu. Ç’instrument i çuditshëm na qënka pushteti që i transformoka njerëzit kësisoj?

Është e vërtetë se pushteti është një tundues i fortë. Ai është si një acid (edhe pse në kimi nuk kam qenë i mirë,por diçka di dhe unë) që hidhet mbi një lëndë tjetër. Nëse kjo lëndë është bazike, zhvillohet një reaksion i fuqishëm, me shkumë, tym, erë dhe përfundon me ndonjë lloj kripe. Por në se lënda është inerte, acidi vepron pak ose aspak mbi të. Inertët janë në këtë rast njerëzit që pushteti nuk i ndryshon, bile janë ata që e ndryshojnë pushtetin, i japin tjetër fytyrë, që është fytyra e demokracisë së vërtetë. Lëndët bazike janë pushtetarët që pushteti i shpërfytyron, i bën t’u shfaqen ato veti që i kanë fshehur me kujdes thellë karaktereve e marrëdhënieve të tyre me të tjerët. Pushtetarët kapardisen se ndjejnë forcën e pushtetit, kuptojnë se fjala apo veprimet e tyre ndikojnë mbi mijra e qindra jetë njerëzish, u hapin apo mbyllin dyert shumë ngjarjeve. Ç’është një biznesmen para meje, thotë pushtetari. Një servil që më rri mua para e mbrapa që po të dua i bëj namin, i dërgoj kontrollorë e inspektime, i vë taksa dhe e detyroj të falimentojë për një javë. Ç’është një gazetar para meje, vazhdon ai. Një hiç gjë, që rron vetëm me bëmat e mija, që vrapon të përcjellë ç’kam thënë e si e kam thënë. Po të dua nuk e qas fare në konferencat e shtypit e u them bodigardëve ta heqin sysh. Ç’është një artist, një dijetar, një specialist i zoti? A nuk jam unë që kam në dorë kaq e kaq gjëra të jetës së tyre? Të gjithë janë hiç përpara meje, vazhdon arsyetimi në ndërdijen e tij. Zanati e do që të thotë se ai është një shërbëtor i popullit, i sovranit popull, por ama, i thotë zëri tjetër brenda tij, edhe ky qerrata sovran të ma dijë për nder e të më falet tre herë në ditë,sa herë që e shtron sofrën për të ngrënë që po i shërbej. Sigurisht nuk janë të gjithë kështu. Ka pushtetarë të ndërgjegjshëm, të ndershëm e të përkushtuar që nuk e kanë lakmuar pushtetin për forcën e të mirat që i sjell atij, por e kanë pranuar si një detyrim qytetare që ta çojë përpara popullin e vendin e tyre. Por ritmi i zhvillimit të vendit në këto vjet, tregon se numri i të parëve e kapërcen numrin e të dytëve,sa të mos them se nuk ekzistojnë fare dhe ndaj është hazdisja pushtetare ajo që mbizotëron e bie në sy.

Pushteti është i lashtë dhe siç thamë,hazdisja pushtetare është e lashtë gjithashtu. Por jemi ne, të tjerët që e ushqejmë atë. Në të tjera rende, pushteti dhe pushtetarët kanë qenë absolutë, qe fati i mjeruar i brezave dhe shoqërive të tëra njerëzore të rronin në ato pushtete e pushtetarë. Por sot është në dorën tonë t’i japim hyxhim apo ta fashitim hazdisjen pushtetare. Në rradhë të parë, duke mos e politizuar jetën katërcipërisht siç kemi qejf të bëjmë. Po u politizua jeta s’do mend se politikanët do të jenë më të rëndësishmit njerëz të kombit. Pse u dashka që ata t’i bëjmë më të rëndësishmit? Mos vallë se na zëmërohen e na lënë pa bukë e ujë, nuk na pranojnë në zyra, nuk na shtrojnë rrugët me bekatonka e s’na ndihmojnë bizneset? Po të gjitha këto janë borxhet që ata kanë premtuar në fushatat zgjedhore. Bile shumë më tepër se kaq. Atëhere le të bëhemi më indiferentë me pushtetin dhe pushtetarët por të shënojmë e mbajmë mend të mirat e të ligat e tyre dhe t’i votojmë sipas atyre ç’kanë bërë e si janë sjellë. Vota e lirë është instrumenti më madhështor i demokracisë. Me të mund edhe të mashtrohet edhe të vidhet, por kjo nuk mund të vazhdojë pa fund. Të përpiqemi ta kulturojmë sa më shumë jetën tonë sepse kultura e vërtetë është vdekje për hazdisjen pushtetare. Duhet që shoqëria civile, media e lirë dhe cilido zë njerëzor demokratik t’ua bëjë të qartë pushtetarëve se ata janë vetëm të përkohshëm: i nderojmë e i çmojmë kur do ta bëjnë detyrën e tyre siç duhet dhe i përbuzim, i përçmojmë e i shkulim (po qe nevoja) nga kolltukët kur shati u tërheq nga vetja, kur krekosen e u del mendja mbi ato pak flokë që kanë(qofshin të thinjura). Pushtetarët duhet ta dinë se edhe në rastin më të mirë nuk krahasohen dot me një artist, me një shkencëtar, me një specialist apo intelektual të shquar. Mos i vëmë pra ata në qendër të vëmendjes çdo ditë dhe orë. Mos i hapim kurdoherë faqet e para të gazetave dhe lajmet kryesore të TV-ve me ç’kanë bërë e ç’kanë thënë ata. Le t’i hapim ato me hallet e një familjeje në Përshefcë, në Likovë apo Saraj, me fatin shpesh herë tragjik të mërgimtarëve apo atë çka ata arrijnë me mund e me djersë, me një libër të sapodalë jo vetëm të Kadareje por edhe të një të riu të panjohur që beson fisnikërisht se letërsia mund ta ndryshojë botën, me një ngjarje arti e kulture, apo me mendimin e sinqertë dhe të pastër të një pensionisti. Le të jenë këto gjërat e vërteta të jetës së Vendit Tonë. Vëmendja është ushqimi i hazdisjes së pushtetarëve mashtrues. Hiqini atyre vëmendjen dhe do të shihni si do të vërtiten ata në hava si figurina pa bosht, si copërat e tollombaceve të plasura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button