Majlinda Bregu: Më vjen turp nga gënjeshtrat e kryetarit të partisë time

sh-ministrja dhe ish-deputetja e PD-së, Majlinda Bregu pas një periudhe të gjate heshtje i është rikthyer kritikave ndaj Lulzim Bashës. Siç thotë edhe vetë në një status të gjatë në facebook, Bregu ka marrë shkas nga dy intervistat e fundit të Bashës në Opinion dhe Top Story. Ajo e nxjerr Bashës si gënjeshtar të madh duke renditur disa premtime që nuk i ka mbajtur dhe me sa duket “gjuha shkon ku dhemb dhembi”, tek listat e deputeteve. Ajo thotë se Basha vit pas viti ka premtuar se do ta hapë PD, duke ftuar të rinj, biznesmene e intelektualë por asnjëhere nuk e ka mbajtur fjalën dhe për këtë i kujton edhe fjalën e urtë popullore se “Shqiptari kur jep fjalën, ther djalën!”.

Por në analizën e gjatë politike të Majlinda Bregut nuk ka asnjë rresht kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Ajo gjithashtu ka heshtur edhe për ngjarjet më të rëndësishme politike të vitit, hetimi për Saimir Tahirin dhe beteja që bëri opozita në parlament e jashtë tij për zgjedhjen e Kryeprokures nga mazhoranca. Ndryshe, së paku nga Patozi që është në të njëjtin stad me Bregun, por nuk i kursen kritikat për qeverinë edhe pse Basha e la jashtë listave.

Më poshtë shkrimi i plotë i Majlinda Bregut kundër Lulzim Bashës

Monologjet e Lulit…

Ka dy javë rresht që shoh e dëgjoj Lulzim Bashën në intervistat e tij përmbledhësë të fundvitit.
Një javë më parë në Opinion dhe këtë javë në Top Story. Sigurisht që nuk ka asgjë të keqe këtu, edhe sikur të bëjë edhe 6 intervista të tjera vitpërmbyllëse. Toni, buzëqeshja, gjuha e trupit dhe fjalitë automatike janë njëlloj. Njëlloj janë edhe planet e Bashës në krye të opozitës për 2018:

Hapje e PD-së me intelektualë, të rinj, elitë; sjellja e gjakut të ri në parti; proces transparent në vendimarrje; votim një anëtar një votë; respektim i mendimit kundër(!); forcim të demokracisë së brendshme në Parti(!) (Luli e quan Apogjeun e Demokracisë në vend!!!); analizë tërësore pas zgjedhjeve për rezultatin( cudi pse asnjëherë këtë se nis nga vetja) e deri tek -fajin e ka gjithë bota, vetëm unë jo!
Ajo që ndryshon nga njëra intervistë tek tjetra, apo nga një vit në tjetrin, është vetëm niveli i mendjelehtësisë me të cilën përcjell e shet gënjeshtrat e veta.

Në janar të 2017, Kryetari I Partisë Demokratike nisi vitin me po të njëjtën buzëqeshje vitpërmbyllëse të këtyre ditëve. Buzëqeshi duke thënë “se po fillonte dialogun me të gjitha strukturat dhe shtresat shoqërore, për të evidentuar potencialet më të mira njerëzore profesionale e intelektuale brenda datës 15 shkurt. “Partia Demokratike zhvillon një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë. Të gjithë anëtarët, mbështetësit, por edhe qytetarët e tjerë, janë të ftuar të propozojnë ato apo ata që duan t’i kenë deputetë. Këto kandidatura do t’i nënshtrohen fillimisht verifikimit dhe kontrollit të figurës dhe pastaj, mes tyre do të përzgjidhen ata që do të përbëjnë listën zgjedhore të PD¬së në të gjithë vendin”.

Pas këtij lajmërimi të 2017, nuk kishte pse dikush të dyshonte se PD po përgatitej për zgjedhjet parlamentare përmes një procesi transparent, të cilin më pas Basha e qëndisi edhe më si ide përparimtare, duke ndërtuar një portal online “Propozo deputetin tënd”.

Madje kaq mirë po ecte ky portal sa dhe drejtues shumë të lartë të PD-së ngazëlleheshin para kamerave për vërshimin e propozimeve të mundësuara nga ky element modern i demokracisë së brendshme digitale të PD-së, paçka se një qytetar mund të propozonte për deputet të Pd-së sa Lulzim Bashën, aq dhe Edi Ramën. Portali i demokracisë digitale të PD-së e regjistronte votën për të dy njësoj.

Nuk di se c’fund pati ky portal. Mbase u thye nga numri i lartë i propozimeve, mbase u bllokua nga qeveria e krimit dhe drogës, por cilido të ketë qenë fati i tij, ia vlen për të mos e harruar. Ka rrezik që Lulzim Basha ta prezantojë prap si risi për zgjedhjet e 2019!

Se si shkoi më pas historia e muajve të pranverës është fakt i njohur botërisht. Lulzim Basha e futi Partinë Demokratike në çadër me ndihmën e Ilir Metës dhe këtë çadër e mbylli, sapo iu ofrua çadra e hasmit- Edi Ramës. Pak rëndësi ka emri i garantuesit. Rëndësi ka që Lulit i duhet të ketë gjithmonë dikë që t’i mbajë çadrën hapur.

Prej këtu viti 2017 për PD-në, u vulos me formën e Lulit!

“Një parti politike në opozitë merr tiparet e përkushtimit të drejtuesve dhe ekipit drejtues,-thoshte Kryetari në Kuvendin e PD-së në 2014. Ky lidership I ri jep garanci se do të zhvillojë garancinë e brendshme në Parti, se do të zbatojë me besnikëri statutin dhe programin e partisë,se do të respektojë diversitetin e mendimit, se do të drejtojë ne frymën e kolegjilaitetit” etj etj etj.

Mjafton kjo kuotë nga fjalimi “rrënqethës” I Lulit ,për të kuptuar sa rëndësi ka fjala e premtimi I tij para demokratëve.

Një Parti që rimëkëmbi për vite shqiptarët e drobitur nga diktatura, pas katër vite opozite, drobitet dhe zvarritet përtokë me çerek milioni vota minus!

Një parti që shkoi drejt humbjes së qershorit,me të vetmen garanci për sukses!

Monologjet e Lulit!

Pakkush mund të kujtojë se pas zgjedhjeve lokale të 2015,Lulzim Basha shpalli se ishte i suprizuar për rezultatin pozitiv, duke shprehur bindjen se fitorja e PD ishte në kuti. As dy ditë më pas u nis për në Bruksel, e prej atje dha kushtrimin “se PD nuk do t’i njohë këto zgjedhje të vjedhura nga qeverisja e korruptuar Rama –Meta, por do të propozojë së shpejti një Paketë të Shpëtimit Kombëtar. Nisi kështu gjetja e yçklës së titullit të një aksioni që Luli as e niste as bitiste kurrë.

Paketa e shpëtimit Kombëtar në 2015, u bë Qeveri Teknike në 2017, dhe tani e ka emrin Qeveri Antimafia-to be continued në 2018. Emri ndryshon, por prestigji i monologjeve të Lulit është I palëkundur.

Me tonin e dikujt qe veprën e tij profane e prezanton kudo si shpikjen para së cilës dridhet dhe ajri, Kryetari i PD-së përsërit të njëjtën fjali studio më studio e vit pas viti. Atë të hapjes së PD të cilës duhet t’I afrohen të rinjtë, intelektualët, biznesmenët, pra elita e shqiptarëve.

Kushdo ka pak kujtesë të qashtër e përcjell me nënqeshje këtë fjali lajkatare te Lulzim Bashës. Më vjen mua turp, sa herë sjell ndërmend solemnitetin me të cilin ka përcjellë gënjeshtrat në këto vite Kryetari i Partisë time.

Në 2016 shpalli si duke u argëtuar, “vendimin për t’i propozuar Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike diçka që është e pazakontë jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin, por për Europën, 35 për qind e grupit të ardhshëm parlamentar të PD-së, do të ishin të rinj të zgjedhur me ndihmën e Institutit Republikan Amerikan, sipas stilit demokratik amerikan të primareve!

Unë nuk e ndaj dot nësë I ka ftuar po aq herë sa I ka gënjyer, apo I ka gënjyer më shumë herë se I ka ftuar. Dhe nuk ka nevojë në fakt t’I ftosh një nga një. Ata që kanë një arsye të shëndoshë dhe që urrejnë këtë qeveri e degradimin e sistemit në Shqipëri, shkojnë atje ky besojnë nga vjen ndryshimi. I vetmi shpërblim që duan, është të mos ju kërkosh të bëhen mediokër e të marrin trajtën e Lulit.

Mund të vazhdoj pa fund me thënie e kundërthënie, qëndrime e kundërqëndrime, të pavërteta që bejnë mu dhe që trishtueshëm për demokratët nuk fshihen dot pas fasadës e buzëqeshjes. Por kam frikë se kjo turbullon edhe më një shoqëri të lodhur nga genjeshtrat. Dikush nuk pranon se ato që thotë janë gënjeshtra, dikush tjetër nuk është I gatshëm t’I pranojë gënjeshtrat si të vërteta.

Gjithsesi le të shpresojmë që Viti I Ri të jetë viti I mbajtjes së fjalës. Populli shqiptar thotë: “Shqiptari kur jep fjalën, ther djalën!”

Nuk di nëse populli hollandez,turk a rus psh,ka ndonjë fjalë të ngjashme po kaq të urtë! Rëndësi ka të mos na shkoje 2018 po njësoj me Monologjet e Lulit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button