Thaçi: Nisma e deputetëve për Specialen nuk është shfuqizim, por alternativë

Nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për të sfiduar gjykatën, por është alternativë, sikurse që kanë edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë po ashtu se nuk i inkurajojnë deputetët rreth kësaj nisme, por nëse Kuvendi e aprovon atë, do ta nënshkruante si president.

Në këtë intervistë, Thaçi u bën thirrje deputetëve që me urgjencë ta ratifikojnë Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe ta evitojnë izolimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

“Nëse nuk kalon Demarkacionit, realisht Kosova do të mbetet e izoluar, padrejtësisht, megjithëse unë e kam vlerësuar se ka qenë kriter i panevojshëm dhe kurth nga Bashkimi Evropian për skenën politike, duke mos qenë ata të gatshëm ta tejkalojnë mosunitetin e vendeve të Bashkimit Evropian, kur dihet se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën. E kanë vendosur kusht Demarkacionin, duke i ditur vështirësitë që i kemi për ta tejkaluar, por dëshiroj të besoj në pjekurinë e skenës politike kosovare dhe në janar do të përmbyllet”, deklaron Thaçi.

Ndërkaq, në lidhje me dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi shprehet se është i gatshëm t’i prijë edhe fazës finale deri në njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Unë dua të shpresoj që dialogu do të vazhdojnë do të ndodhë formimi i një ekipi të përbashkët politik, por edhe nga shoqëria civile nga ana e palës kosovare dhe pastaj të fillojë ky proces. Unë dua të besoj fuqishëm se do të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që Serbia ta njoh Kosovën dhe Kosova Serbinë, do të thotë njohje reciproke dhe Kosova të jetë pjesë e organizatës së Kombeve të Bashkuara. Asnjë dialog tjetër nuk ka kuptim me Serbinë”, tha Thaçi në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button