Belgjika, pro Shqipërisë në BE

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto gjatë qëndrimit në Belgjikë ka zhvilluar takim me kryetaren e Senatit, Sabine De Bethune dhe me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Didier Reynders. Në këto takime u diskutua për bashkëpunimin dypalësh, integrimin e vendit në BE dhe zhvillimet në rajon.

Zv.kryeministri i Belgjikës, Reynders, gjatë takimit ka nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ai tha se Belgjika, si një mbështetëse e zgjerimit të BE-së është në favor të zgjerimit të BE me Shqipërinë dhe me vende të rajonit të Ballkanit.

Haxhinasto nga ana e tij nënvizoi se Belgjika është një vend që ka ndihmuar Shqipërinë në rrugën e tij të zhvillimeve demokratike, por edhe në drejtim të proceseve integruese në NATO dhe BE. Marrja e statusit të vendit kandidat, tha ai, do të jetë një hap mjaft i rëndësishëm, së pari, në përgjigje të vokacionit të shqiptarëve për anëtarësimin në BE dhe më tej, sepse integrimi është përgjigja më e mirë për të gjitha tendencat apo zërat nacionaliste kudo qofshin ato në rajon.

Gjatë takimit, Haxhinasto tha se Shqipëria është përgatitur që të luajë një rol aktiv në kryesinë e radhës së KiE. “Programi ynë është ambicioz, por i realizueshëm. Ne do të synojmë, midis të tjerash zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me rajone të ndryshme. Në këtë kuadër, ne synojmë një afrim më të madh të Kosovës me KiE”, tha Haxhinasto.

Në përfundim të takimit, dy zv.kryeministrat nënshkruan Protokollin për bashkëpunim midis dy Ministrive të Punëve të Jashtme, e cila ofron një platformë për një bashkëpunim më të ngushtë institucional midis dy ministrive për çështje me interes të ndërsjellë.

Lajme të ngjashme

Back to top button