Me “hë baba, a u ngope dhe binde me kaq sa dëgjove?” u shfaq premiera “Gratë” (VIDEO)

[owl-carousel category=”Uncategorized” singleItem=”true” autoPlay=”true”]“Hë baba, a u ngope me kaq sa dëgjove? A u binde?”, qenë fjalët që nxorën në pah gjithë të vërtetën e “Grave” që të martën për herë të parë u shfaq në skenën e Teatrit të Komedisë në Shkup, në regji të Qëndrim Rijanit, shkruan Portalb.mk.

Zbulimi i të “fshehtave” dhe kuptimi i marrëdhënieve reale te “Gratë” dukej se po vazhdonte shfaqjen “I sëmuri për mendsh”, në të cilën personazhi kryesor bëhet se gjoja ka vdekur, kurse nga ana tjetër zbulon të gjitha intrigat që kanë rrethuar jetën e tij, por edhe jetën reale të kohës së sotme.

Premiera e shfaqjes "Gratë"
Premiera e shfaqjes “Gratë”

“Kam një lëmsh në zemër, s’di kujt ti ankohem, t’u ankohem fushave, fushat zbukurohen. T’ju ankohem fjalëve, si çupat martohen, me letrën e bardhë, zënë e dashurohen”, ishin vargjet me të cilën nisi dhe mbaroi premiera “Gratë” që erdhën nën melodinë e sazeve, të kompozuara nga Fatos Lumani që të sillnin pranë jugun e largët të Shqipërisë, sa për të na e bërë me dije, se ky realitet nuk ishte i pranishëm vetëm në pjesën veriore.

Por jo vetëm këto fjalë, te publiku teatrodashës, me zërin e aktores Drita Kaba Karaga erdhi edhe heshtja e një vajzeje që vjen në pah në momentin kur ajo dëshiron të martohet, kur i thonë se është turp të shkollohet, kur e mbulojnë derisa ajo dëshiron të këndojë, e kur i caktohen kufijtë e lëvizjeve, e kur shkelin mbi dashuritë, e kur e dërgojnë në shtëpinë e burrit,…

Dhe për të na e bërë atmosferën e ngrohtë, mes skenës erdhi edhe bredhi i vitit të ri, si bija më e vogël e shtëpisë, aktorja Aida Elezi u ul pranë tij dhe me shpresën se gjërat në të ardhmen do të shkojnë në kahen e kundërt, filloi rrëfimin: “O burrë i gruas tënde, motra e gruas nuk është gruaja jote, nuk është njëlloj sikur gruaja jote. O burrë i shtëpisë, shërbëtorja e shtëpisë është për t’i shërbyer shtëpisë, e jo për të të shërbyer ty. O profesor, studentja është aty për t’ia kërkuar indexin e jo për… Ti burrë regjisor, aktorja është aty për të luajtur rolin e shfaqjes, e jo për të luajtur rolin e dashnores tënde. Ti burrë i shokut tënd të ngushtë, gruaja e shokut nuk është edhe gruaja jote” , që te publiku solli problemin e marrëdhënieve jashtëmartesore.

Premiera e shfaqjes "Gratë"
Premiera e shfaqjes “Gratë”

Në skenë u shfaq edhe aktorja Zarije Jonuzi e cila tregoi dhimbjet që i përjeton një nënë kur lind fëmijë, e të cilat humbasin “orë me dorë” kur dëgjojnë të “qamurën” e tij. Këto ndjenja ngjallën dëshirën që nuk do të bëhej kurrë realitet, për të pasur një fëmijë me Marselin, burri që gjatë gjithë shfaqjes mendohej se ishte i vdekur, kurse ishte i gjallë.

Krahas Drita Kaba Karagës, Aida Elezit, Zarije Jonuzi Çeliku, në skenë përballë publikut dolën edhe aktorja Aida Alidemi, Amernis Nokshiqi, Mirlinda Saiti dhe Vjollca Bekteshi Hamiti të cilat sollën problemin e incestit, abortit, dashurisë së madhe ndaj parasë, hemoseksualizimit, varësisë nga lojërat e bixhozit, luftës kundër kancerit, që nga aktorja Teuta Ajdini Jegeni solli mësimin “se kanceri nuk është vdekje, por thërrime jete nga e cila merret forca për të vazhduar me tej”.

Dhe si fund, nga pafuqia për t’u përballë me “Gratë” e vërteta, Marseli vendosi t’ia “marrë” jetën vetes.

Për “Gratë” që do të shfaqet edhe të mërkurën në Teatrin e Komedisë në Shkup me fillim prej ora 20:00, regjisori Qëndrim Rijani u shpreh i kënaqur nga mënyra se si erdhi në skenë dhe tha se synimi i tij ishte që te publiku të ngriten dilema, e jo të përcillen mesazhe.

“U quajt “Gratë” sepse roli i gruas mbetet në mbështetje të meshkujve dhe nga fakti se shumë pak ka gra dramaturge, pasi që një pjesë e konsiderueshme janë meshkuj. Jemi përpjekur që veprën ta aktualizojmë në dimension kohor dhe gjeografik duke pasur synim trajtimin e problemeve të gjinisë femërore. Shfaqja nuk përcjell vetëm një mesazh, por ka synim të ngrit dilema të cilat do të trajtoheshin nga secili prej nesh”, tha Rijani.

Se a ishin “Gratë” mënyra më e mirë për ta përfunduar vitin 2017, Rijani u shpreh kështu: “Nuk ka të bëjë me gratë dhe burrat, por ka të bëjë me atë që lidhet me shpirtin dhe atë që unë dua ta bëj. Ajo çfarë më lidh më shumë me shpirtin, është ajo çfarë unë bëj në skenë”.

Krahas regjisorit, aktorëve dhe kompozitorit, që “Gratë” të paraqiteshin në nivel, u përkujdesën edhe skenografi Petrit Bakalli, kostumografja Marija Pupuçevska, përkthyesi Artur Lena, dizajnuesi Ngjadhnjim Mehmeti dhe për video Betim Zeqiri.

Premiera e shfaqjes "Gratë"
Premiera e shfaqjes “Gratë”

Për shfaqen komentuan edhe të pranishmit të cilët ishin në masë të madhe. Shkrimtari Kalosh Çeliku e vlerësoi si të arrirë mënyrën se si vepra e Robert Thomas erdhi në skenë.

“Është një nga shfaqjet që vjen në kohën e duhur. Kuptohet se është një guxim si i regjisorit, autorit por edhe i aktoreve, të cilat patën një lojë mjaftë të arrirë. Shkupit gjatë kohë i ka munguar një dramë e tillë, një karakter i tillë, si për gratë po ashtu edhe për burrat”, tha Çeliku.

Kalosh Çeliku u shpreh se autori me veprën dhe regjisori me dramën që solli në skenë ka dashur të edukojë si gratë po ashtu edhe burrat duke mos treguar njëanshmëri gjinore. Megjithatë, vlerësoi jo të gjitha problemet që u trajtuan në shfaqje janë të pranishme në shoqërinë tonë.

Nga ana tjetër, aktori Burhan Amiti shfaqen “Gratë” e vlerësoi si shfaqje të vitit.

“Kjo sot që ishte mund ta vlerësoj si një ndër shfaqjet më të kompletuara. Më vjen mirë që kemi një nivel kaq të mirë të aktoreve femra. Përcollën një mesazh shumë të mirë me emocione të forta. I uroj dhe i përgëzoj për punën që e kanë bërë duke ju dëshiruar që kjo shfaqje të përshkojë festivale. Mund ta konsideroj si shfaqje të vitit duke thënë se kjo ishte mënyra më e mirë që Teatri Shqiptar i Shkupit ta përfundojë vitin 2017”, tha Amiti.

Shkrimtarja Lira Bojku vlerësoi “Se drama që u shfaq sot nxori në pah lidhjet jashtëmartesore dhe homoseksualizmin duke ndikuar në ngritjen e vetëdijes së grave dhe burrave”.

Megjithëse “Gratë” trajton problemin e dashurisë, urrejtjes, seksualitetit dhe incestit duke sjellë vorbullën femërore, sërish në bazë trajton lirinë, e cila shpesh herë është edhe vetë problemi i tërë shfaqjes dhe jetës në përgjithësi.

Premiera e shfaqjes "Gratë"
Premiera e shfaqjes “Gratë”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button