Specialistët: Lahuta në rrezik për zhdukje

Pak vëmendje nga trashëgimtarët e rinj dhe etja e blerësve të huaj po zhdukin veglën muzikore.

Dikur, shtëpia pa lahutë quhej “shtëpia e lanun”. Ishte marre për malësorin të mos e kish një pushkë e një lahutë. Me telin e saj rapsodët i kanë kënduar Mujit e Halilit, kreshnikëve me mustaqe të gjata që shtrinin 7 pashë nën dhé bajlozët e zinj me topuzë të rëndë…

Koha ka lënë gjurmë mbi to, ashtu si dhe historitë e këngëve dhe trimave që u kanë kënduar. Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Instituti Shqiptar i Shkencave hapën në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën “Lahuta e Eposit Shqiptar”.
Sipas specialistëve, ajo përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit europian, shpesh e mbiquajtur instrument etnik i shqiptarëve. Në ekspozitën e hapur në MHK, janë paraqitur 30 lahuta unike në llojin e vet. Ato i përkasin kryesisht shek. XIX-XX dhe i përkasin fondit të Muzeut Historik Kombëtar, por edhe koleksioneve private, ai i piktorit të njohur Nikolet Vasia, muzikologut Vaso Tole etj. Çdonjëra prej tyre ka nga një histori. Shumë janë të gdhendura bukur. Në kokat e tyre sheh të gdhendura simbole të njohura që hasen në mitologjinë gojore shqiptare e sidomos në Eposin e Kreshnikëve, të tilla janë Orët e malit, Zanat, gjarpri shërues, kreshniku, dielli, hëna me yjet, por edhe koka e dhisë, e cila ndeshet rëndom te ky instrument.

Në një kënd të sallës qëndronte i ulur një rapsod, jo i moshuar, por që ka trashëguar artin e interpretimit me lahutë. Dhe vizitorin që sheh me kureshtje instrumentet, por edhe disa tablo, ku paraqiten elemente të këtij instrumenti, shoqërohen nga tingulli i thatë dhe i veçantë i lahutës. Eposi i Kreshnikëve dhe mjeshtëria e punimit të veglave muzikore tradicionale janë shpallur “Kryevepra të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare” dhe, sipas specialistëve, tashmë është afati i fundit për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi. /panorama/

Lajme të ngjashme

Back to top button