Instituti i trashëgimisë do të bashkëpunojë me Turqinë

Prej 20 deri më 26 maj 2012, punonjësit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni (ITSHKSHM), nën udhëheqjen e drejtorit Shefqet Zekolli, qëndruan në Republikën e Turqisë, ku vizituan institucione të rëndësishme shkencore e kulturore në Stamboll dhe Bursë.

Vizita e parë ishte në Fondacionin për Art dhe Shkencë (BISAV) në Stamboll, të themeluar nga Ahmet Davutogllu, Mustafa Ozel dhe Murat Ylker, biblioteka e të cilit numëron afër 80.000 libra.
Një vizitë mbresëlënëse ishte edhe takimi në Arkivin Shtetëror Osman të Stambollit, ku punonjësit e Institutit u pritën nga drejtori ?nder Bajir. Ky është një ndër arkivat më të pasura në botë, me mbi 100 milionë dokumente nga të gjitha periudhat historike dhe me një trend marramendës të digjitalizimit. Gjithashtu, ata vizituan edhe Institutin e Qendrës së Konferencës Islamike – IRSICA, të vendosur në pallatin e Sulltan Abdulhamidit II.

Në kuadër të kësaj vizite ishte edhe takimi në Fondacionin RUTEV, i përbërë nga 12 shoqata joqeveritare, mes tyre edhe një shoqatë shqiptare-turke. Punonjësit e Institutit për trashëgimi u pritën nga kryetari i RUTEV-it, z. Hasan Imamoglu, me prejardhje nga Kamjani i Tetovës. 
Gjithashtu, ata vizituan edhe Institutin e Studimeve Islame në Turqi – ISAM, që është më i madhi i këtij lloji, me afër 225.000 libra dhe me qasje në afërsisht 120 biblioteka turke përmes data bazës së internetit. 

Vizita e punonjësve të ITSHKSHM-së vazhdoi edhe në Bursë, ku ata takuan kryetarin Rexhep Alltepe, me origjinë nga Shkupi, si dhe ndihmësit e tij Nexhmedin Shenoxhak dhe Bajram Vardar, gjithashtu me origjinë shqiptare. Në këtë takim ata folën për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.  

Nga kjo vizitë dolën shumë ide dhe projekte të cilat synohet të realizohen në periudhën e ardhshme, kjo në saje të bashkëpunimit të vendosur me institucionet e sipërpërmendura turke. Vizita është mundësuar nga Administrata Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar (TIKA) dhe komunat e ndryshme në Stamboll e Bursë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button