Tetova, qyteti ku vozitet si në Teksas

Rrugë që nuk janë të sigurta, komunikacion i dendur, pakujdesia e drejtuesve të makinave dhe automjeteve tjera në komunikacion, janë disa nga arsyet e aksidenteve të fundit që ndodhin në komunikacion. Vetëm brenda 24 orëve dy persona e humbën jetën në rrugët e Tetovës.

Kjo duhet të alarmojë institucionet përgjegjëse lokale dhe ato qendrore se diçka nuk është në rregull. Aksidentet e fundit, që fatkeqësisht morën edhe jetëra njerëzish, padyshim se duhet të zgjojë nga gjumi ata që paguhen për të krijuar siguri në komunikacion për pjesëmarrësit.

Rrugët janë përplot me vetura të paregjistruara, me vozitës të cilët drejtojnë makinat pa leje qarkullimi dhe njëkohësisht ajo që është më tragjike në rrugët e Tetovës vëren edhe shumë vozitës që ende s’kanë vitet e nevojshme për tu ulur para timonit. Kjo situatë e zymtë në rrugët tona assesi nuk duhet të merret shkel e shko, ngase pothuajse çdo ditë humbin jetëra njerëzish, në shumë raste edhe pa fajin e tyre.

Ajo që është më irituese se në rrugë shpesh herë vërejmë polic por si përfundojnë gjobat e tyre të gjithë e dimë. Secili vrapon për të kapur një të afërm ose shok në polici apo gjykatë për të hequr dënimin dhe kaq. Me një intervenim përfundon e tërë procedura, nuk ka gjoba, nuk ka dënime. Dënime ka për gabime të lehta ndaj vozitësve që s’kanë të njohur në polici dhe gjykatë. Po çka ndodh me ata që nuk kanë një të afërm për të shlyer gjobën.

Sigurisht se do të paguajnë. Pra dënohen ata që janë të ngratë , të pafajshëm dhe ata që mund të kapen, kurse ata tjerët të fortët sërish vozisin sikur të jenë në Teksas. Këto fakte sigurisht se të gjithë qytetarët e Tetovës i dinë dhe i bisedojnë çdo ditë por sa do të zgjasë kjo situatë askush nuk jep garanca.

Për momentin i vetmi shpëtim është që ju të nderuar pjesëmarrës në komunikacion të keni kujdes kur merrni pjesë në komunikacion me një fjalë duhet ti bëni sytë katër siç thotë populli. Rrugët tona janë shumë të rrezikshme. Deri kur do të shkojë kështu askush nuk di të jap përgjigje sepse përgjigjen e saktë të gjithë e dimë. 

Nëse ke leje qarkullimi dhe je vozitës i rregullt atëherë gjobitesh dhe do dënohesh se je në rregull, kurse nëse nuk je vozitës i rregullt me leje, me veturë të regjistruar dhe siguruar, atëherë dihet se dënimit do ti shpëtosh se shoku yt në polici dhe në gjykatë do të fshijë dënimin.

Sigurisht ju të nderuar lexues të Portalb, do të pyetni se pse askush nga përgjegjësit nuk flet, edhe në këtë rast përgjigjen e dini, askush nga personat zyrtar nuk flet dhe nuk është i kapshëm kur duhet të flet për këto raste sepse merr pikë negative tek ata që e kanë ulur në karrige dhe mund të shkarkohet.

Fatkeqësisht ky është realiteti jonë në Tetovë. Për fund, nëse nuk ka masa preventive ndaj këtyre devijimeve atëherë ne pra, vetë banorët e Tetovës duhet vetë të mbrohemi. Si të mbrohemi, e vetmja mënyrë është që të kemi kujdes kur jemi me makinë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button