Maqedonia në udhëkryq: BRIKS apo BE-NATO

Çdo ide që nuk do të përfshinte anëtarësimin në NATO dhe BE, është një aventurë e çmendur dhe e pamenduar mirë, kështu i komenton ish ministri i jashtëm dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare Denko Maleski, qëndrimet në disa media pro-qeveritare se Maqedonia mundet edhe jashtë NATO-s dhe BE-së, dhe se një aleancë ekonomike me shtetet e BRIKS-it (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Republika jug-afrikane) është një alternativë e mirë.

Maleski për Portalb thotë se Maqedonia nuk është në nivel të bashkëpunojë me këto shtete, dhe se ato nuk do të hynin në ‘telashe’ me perëndimin për Maqedoninë.

‘Kjo do të ishte një aventurë e pamenduar, sepse në prapavijë të një aksioni të tillë dëshpërues nuk është integrimi ekonomik por problemi politik që e kemi me perëndimin tashmë. Secili që mendon  për një alternativë të këtillë duhet të mendoj se cilat do të ishin interesat e palës tjetër,  pra këtyre shteteve siç janë Kina, Rusia, India, Brazili që të lidhen me problemet e një vendi të vogël ballkanik i cili sigurisht se nuk është në nivelin e interesit politik të lartë të tyrin në botë’ thotë Maleski.

Ai mendon se shtetet e BRIKS-it nuk kanë se çfarë të përfitojnë prej Maqedonisë, për faktin se arsyeja se pse ne do t’u bashkëngjiteshim është problemi politik me Greqinë, dhe këtë problem ekonomik do ta përcillnim edhe atje në njëfarë mënyrë.

‘Kjo do të ndikonte në marrëdhëniet e tyre me Greqinë me Bashkimin Evropian, me SHBA-të, varet edhe nga ajo se deri në masë dikush mendon këtë ta realizojë, Rusia për shembull kujdeset shumë për raportet e saja të mira me Bashkimin Evropian me NATO-n, ai është interesi i tyre primar dhe jo Maqedonia, kur Rusisë do ti bëhej propozim të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE menjëherë do të vraponte ta bënte atë, mirëpo kjo nuk bëhet sepse Rusia është tepër e madhe dhe është vend jo demokratik edhe më tej, e kështu me radhë, prandaj jam i bindur se kjo alternativë nuk është zgjidhje për problemet tona’ thotë ish ministri i jashtëm dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare Denko Maleski.

Analisti shqiptar dhe ligjërues në UEJL, Ylber Sela një ide të këtillë e vlerëson shkatërrimtare jo vetëm për shqiptarët, por edhe për Maqedoninë. Të gjithë rrugët që janë jashtë NATO-s dhe jashtë Bashkimit Evropian, janë në dëm jo vetëm të Maqedonisë por edhe të rajonit, andaj rruga e zgjedhur e politikanëve tanë është e gabuar, thotë për Portalb Sela.

‘Unë mendoj se për shqiptarët e Maqedonisë interes strategjik është anëtarësimi në NATO dhe se nuk ekziston alternativë tjetër veç anëtarësimit në NATO, kështu që pala shqiptare duhet të japë kontribut edhe më të veçantë sa më të madh, dhe të bëj presion sa më të madh, sidomos partia në pushtet,  sepse kjo është rruga e shqiptarëve si popull, kurse pala maqedonase e ka zgjedhur rrugën e vet, dhe ata mund të mbajnë përgjegjësi për anën e vet’.

‘Populli  ka zgjedhur liderë, ka parti politike  të cilat tash duhet të dalin me projekte konkrete, cilët janë rrugët të tregojnë sepse ata janë të zgjedhur nga populli se nga duhet të shkohet sepse interes strategjik është NATO-ja’ shprehet analisti Ylber Sela.

Sela thotë se partia maqedonase në pushtet duhet të kuptoj më se beteja me Greqinë është e humbur në çdo aspekt, dhe se çdo minutë e humbur më shumë, vështirëson edhe më shumë gjendjen.

‘Mos anëtarësimi në NATO dita ditës rrit  krizën politike, ekonomike, largon investimet e huaja, dhe normalisht që lufta që e kemi me Greqinë është e humbur, sepse nuk mund ti konkurrojmë Greqisë me aktivitete, kështu që çështja e emrit duhet të zgjidhet, nuk ekziston alternativë tjetër,  dhe të gjitha alternativat tjera që dalin nga politikanët, janë të kota, janë vetëm për politika partiake apo ditore’ thotë Sela. 

Me ‘alternativë’ për NATO-n dhe BE-në së fundmi u paraqitën shumë media që kanë ide identike me qeverinë. Në emisionet e tyre, gjatë diskutimeve për mossuksesin e radhës në Çikago, promovojnë ide se edhe jashtë këtyre dy organizmave Maqedonia do të mbijetoj, dhe se ajo do të ishte bazë e ekonomive të këtyre vendeve në Evropë. Me kritika të ashpra nda NATO-s dhe BE para 10 ditëve shpërtheu edhe kryeministri Gruevski, i cili akuzoi këto dy organizata se janë duke zhvilluar politika dyfytyrëshe karshi Maqedonisë, dhe në favor të Greqisë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button