Kontesti i emrit të Maqedonisë të zgjidhet pas dyerve të mbyllura

Zgjidhje për kontestin me emrin duhet të kërkohet në kuadër të Evropës dhe të diskutohet pas dyerve të mbyllura. Këtë e theksojnë eurodeputeti gjerman Christian Ehler dhe deputeti në Bundestag Gunther Krichbaum në një deklaratë për Deutsche Welle.

“Mendoj se është më se e qartë se zgjidhja evropiane nuk mund të jetë shkurtim i së drejtës së Maqedonisë për vetëvendosje. Kjo do të ishte në kundërshtim me vlerat evropiane. Me krizën e tanishme në Greqi e cila është e lidhur me tërë Ballkanin mendoj se mundësitë për zgjidhje të kontestit po rriten. Me një kufizim, gjegjësisht, në qoftë se në Greqi ndërmarrin qeverisjen forcat ekstreme, të cilët, me pikpamjet e tyre nacionaliste vetëm do ta keqësojnë gjendjen. Personalisht, mendoj se, edhepse ky kontest po zgjat shumë, mund të ketë një zgjidhje evropiane, e cila do të thotë: vetëvendosje e Maqedonisë dhe me këtë zgjidhje edhe të emrit, një e drejtë e cila asnjë shtetit nuk mund t’i shkurtohet”, deklaroi eurodeputeti Christian Ehler.

Gunther Krichbaum nga ana tjetër, mendon se për kontestin me emrin duhet të diskutohet pas dyerve të mbyllura, me qëllim që të arrihet një zgjidhje.

“Ky kontest po zgjat disa vite. Prandaj, është me rëndësi që Greqisë t’i themi se dëshirojmë një zgjidhje sa më të shpejtë, ndërsa nga ana tjetër, nga Maqedonia të kërkojmë sinjale kundrejt Greqisë – në mënyrë artificiale të mos hedhë vaj në zjarr! Besoj se kur këto dy gjëra të ndodhin, do të jetë e mundur që të dy palët të afrohen më shumë”, tha Krichbaum./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button