BUNARI, HORRAT DHE BYREKU

“Kërkoj forcë jo për të mposhtur vëllezërit e mi, por për të ngadhënjyer mbi armikun tim më të madh, vetëveten!” (lutje e amero-indianëve Sioux)

Termi kyç i veprës kryesore të mendimtarit dhe estetit rumuno-amerikan, Pesë fytyrat e modernitetit, është dekadenca që ai e shpjegon si fazë e perëndimit, muzgut, plakjes, shterimit, zvetënimit, korrupsionit, degjenerimit, perëndimit dhe çoroditjes. Sipas tij, sot, kanë rënë standardet si në krijim ashtu edhe në konsumin e vlerave, qytetërimi është brutalizuar. Edhe skena politike shqiptare në përgjithësi është në një dekadencë të madhe, në tregun politik gjithshqiptar, por edhe këtu ndër ne dita ditës po ulen çmimet e gjërave të vlefshme. Këtë e dëshmoi edhe java e kaluar, kur ligjërata e kësaj sfere të jetës shoqërore, në fakt e klasës “shtet-ngrënëse” (Peci) erdhi me një vokabular që do duhej vatërzuar nga sociologjia fenomenologjike, që flet për psikologjinë e një interaksionizmi të çbalancuar mes subjekteve shqiptare.

Në emisionin Click Plus (“Hatërmbetjet politike…”) një politikan i ri, lider i një partie pa demos, diskutoi me shumë shprehje personifkuese dhe anaforë, me një zhargon të lexuar tanimë për “forcat destruktive” që më tepër duken si fantome se sa realitet, që tanimë kishte hapur derën, të cilën  vitin e kaluar e kishte mbyllur me çelës, u mundua ta zbërthejë gjendjen përmes një teorie nga psikologjia (e sistemit dinamik që thotë se zhvillimi është konstant, fluid, emergjent, jolinear dhe i determinuar nga faktorë të ndryshëm) dhe pas metaforës së parë (kyçi), sërish me një figurë stilistike, bunari (pusi), ‘ku gjendemi qe njëmbëdhjetë vite, dhe tanimë doli një forcë graviteti tjetër që na futi në një pus tjetër, ku duhet të qëndrojmë derisa të vijë një forcë tjetër tërheqëse që do të na fusë në një bunar tjetër…” Është shumë e çuditshme se si prijës-psikologu një shoqëri e pozicionin brenda një grope nëntokësore, ku ka luftë për mbijetesë, terr, ku siç është shprehur vetë ai në një tekst para një viti e gjysmë, “dalja kërkon dëshirë dhe energji të jashtëzakonshme saqë bëhet e pamundshme për t’u arritur”. Gjendja në pus tregon se shumë të pakta janë gjasat të shpëtosh vetë, se patjetër ke nevojë për litarin e tjetrit. Do shënuar se shpjegimet ishin të paqëndrueshme se si u ndanë rrugët me një subjekt tjetër me të cilin ishin në kolalicion, s’e kthjelloi as pretendimin se tani përfaqësonte diçka që de facto nuk ekziston. Konstatimi se jemi në pus, i vërtetë, por shtjellimi shumë i koklavitur. Referimi vetes me emër dhe mbiemër, një gaf tjetër. Gjuha si anglishtja e vendasve të kontinentit të ri nëpër filmat western: “Me likes this”, “Indian likes this”.

Termi i dytë që shënoi javën ishte “horrat”. Lideri i pushtetarëve shqiptarë në të njëjtin medium pati një prezantim shumë emocional, komunikim joverbal turbulent, me ngritje zëri, goditje tavoline, duke u shprehur se do ta ndryshojë kursin politik, nga heshtja në diçka tjetër, foli për turpin e botës, atakoi universitetet (“Çfarë univeristetesh kemi ne, turp i botës për shqiptarët?”)… Një shprehje që katandis edhe më tepër politikën tek ne ishte klithma e liderit integrist se “me horra nuk ulet”, pohim ky edhe më tepër rrit hendekun mes partive politike shqiptare, që shtë një kundërshtim i vetvetes, kontradiktë me fjalët që vetë prononcuesi tha po në atë emision kundër përçarjeve, ndasive. Kërkimi në fjalorët shqip na shpie deri te kuptimet në vijim të fjalës horr: “Njeri me vese të këqija që sillet keq, pi ose luan kumar; njeri pa cipë e pa nder; rrugaç. Horr i horrave horr shumë i keq. Ishte horr i madh. Mos i beso atij horri!” Nga ana tjetër, horrlëku përkufizohet si “punë a veprimet e një njeriu të lig e me vese; veprim i poshtër që bëhet nga një njeri i pacipë e i pander.” Dikush do kishte thënë se liderit i plasi filmi. Gjuha e trupit, grimasat e fytyrës flisnin për çaste të transit, të daljes jashtë kontrollit. Vërtet, volli zjarr. Nga unifikimi e bashkimi, deri te përçarja dhe horrat, dhe me këto fjalë, opsionet politike i shtyu drejt kaheve shumë divergjente, madje kundërshtare. Mbresëlënës për publikun ishin elozhet implicite përmes “debatit si burrat” me të ndjerin Xhaferi, përmes të cilit synohej sulm ndaj të gjallëve dhe mëkatlarje përmes një figure politike me peshë, me të cilën gjithashtui s’ishte gjetur mirëkuptimi sa ishte ndër ne.

Dhe në fund, byreku i përdorur sërish si figurë stilitike, si metonimi që flet për një gatesë të popullarizuar në Ballkan, që zakonisht në shtëpi bëhet për të gjithë, kurse sociologjikisht një shtresë sociale më e ulët e përgatit për më të lartën (“Byrekxhi në Beograd!”). Se ç’pati për qëllim lideri i ASh-së u dhanë shumë komente, por me gjasë deshi të tregonte pozitën inferiore të shqiptarëve në qeveri e pushtet në gjithë periudhën e demokracisë, në veçanti nga 2002 e këndej. Përmes figurës së byrekut, ironizohej edhe pozicioni i kryeministrit dhe politikbëries aktuale, sektoret e shpikura në përbërjet e mëhershme që s’kanë treguar kurrfarë efiçience, postet vetëm për paga, për konferenca shtypi, tryeza të rrumbullakëta dhe “analiza shkencore të kioskut”. Byrekun e zëvendëson edhe simit-pogaça që është më origjinale, që s’e gjejmë kund tjetër pos Shkupit. Sidoqoftë, politikani theksoi byrekun që ilustron shijen e kafjallit dhe të pauzave, shpiku një institucion të ri, byrek-ministrinë, që siç duket, definitivisht e ndau atë nga pushteti, e intrigoi dhe hidhëroi edhe më tepër “liderin e kaltërt” që edhe ashtu ishte i mllefosur me deklaratat për 27 Prillin. Neve do na konvenonte edhe popullorja, “bukë e kripë e zemër”, vetëm të kishim politikë më të koordinuar dhe rezultate më të mira. Por e vërteta është se politikanët tanë të eshalloneve të larta, raporte më të mira kanë me byftekë se sa me byrekë. Andaj, të flasësh për byrek, ndërkohë që ka  ramstek është një huqje.

Një nga figurat më të mëdha të historisë së njerëzimit, profeti Muhamed, mes tjerash thotë: “Ashtu siç jeni, ashtu do t’i keni edhe prijësit!”, kurse Joseph de Maistre, në një formë pak të modifikuar  thotë të njëjtën gjë, “Çdo popull ka qeverinë që e meriton”. Nëse është kështu atëherë kemi shumë për të bërë për të merituar një ekip politikanësh më të ndryshëm se këta që i kemi, më komunikues mes veti, më konstruktivë për popullin. Për momentin jemi përballë çështjeve në vijim:  t’i ruajmë bunaret e vjetra e të mos gërryejmë të reja, t’i detektojmë e t’i leçisim horrat në mesin tonë dhe të hamë byrek e të vazhdojmë të politizojmë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Te Vedati e flasim me gjeresisht, kurse ketu vetem kjo: teksti eshte i nivelit sic ishte ligjerata yte kulmore ne shkollen trevjecare joformale te shkencave humanitare ne carshine e Shk. Mua, Ali, as ne shfaqe dhe filma rralle me ndodh te rri pa levizur, hepten duhet te me mbertheje skena apo rrefimi filmik qe te mos leviz vendit, te mos pauzoj me nje cigare. Ligjerimi yt, i pergatitur me nge, interaktiv, i begatshem me info me te reja dhe shembuj lokale, me taban shkencor dhe kombetar, para atij publiku fort te ri dhe te pergatitur, anise zgjati 60 min mua dhe te tjereve na fluturoi sa cel e mbyll gojen:-)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button