Meta ia dha nënshtetësinë Janullatosit, Greqia përshëndet vendimin

Nga sot Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare Anastas Janullatos është shqiptar. Presidenti i Republikës Ilir Meta i dha nënshtetësinë, një kërkesë e hershme e kryepeshkopit, që i ishte refuzuar nga të gjithë presidentët përpara Ilir Metës, me argumentin e ndjeshmërisë së kësaj çështje për opinionin publik shqiptar.

Në fakt hirësia e tij Janullatos ka lindur më 4 nëntor 1929 në Pire të Greqisë dhe momenti i fronëzimit të tij si kryepeshkop i kishës ortodokse autoqefale shqiptare në vitin 1992 u shoqërua me kundërshtimin e një pjese të ortodoksëve shqiptarë. Kundërshtimet erdhën pikërisht sepse Anastas Janullatos nuk ishte shqiptar dhe kjo mund të çonte në humbjen e autoqefalisë së kishës. Madje në vitin 1994 u tentua me projektkushtetutën e re largimi përfundimtar i Kryepeshkopit, por kushtetuta u rrëzua me referendum më 6 nëntor 1994.

Në letrën që shoqëron dekretin, Presidenti i Republikës Ilir Meta çmon lart figurën e kryepeshkopit si një nga udhëheqësit e nderuar të besimeve fetare në Shqipëri, që kanë kontribuuar në lartësimin e besimit dhe përhapjen jashtë Shqipërisë të vlerave të harmonisë dhe tolerancës mes shqiptarëve. Sipas presidentit, kontributi dhe përkushtimi i kryepeshkopit në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë, raporton TCH.

Në fakt fort-lumturia e tij kryepeshkopi Anastas në një intervistë për televizionin grek Sky deklaroi se pasardhësi i tij do të jetë padyshim shqiptar. Pa menduar ndoshta, se për pak ditë, do të gdhihej edhe ai vetë shqiptar. Vendimi i presidentit Meta është përshëndetur nga ministri i jashtëm grek Kotzias, në një moment kur të dy vendet i kanë përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet, duke futur në rrugën e zgjidhjes çështje deri dje të nxehta, si ligji i luftës me Shqipërinë apo varrezat e ushtarëve grekë. Ndaj padyshim vendimi i presidentit duhet lexuar në këtë kontekst.

Menjëherë sapo u bë publik dhënia e nënshtetësisë nga ana e Presidentit Meta ndaj kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare, Janullatos, ka reaguar ministri grek i punëve të jashtme.

Kotzias, ministri grek ka shprehur vlerësimin për dhënien e nënshtetësisë nga ana e kreut të shtetit shqiptar Ilir Meta. Ai tha ky është vlerësim për Janullatosin i cili ka kontribuar në besimin dhe harmoninë mes dy popujve.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Koztasi përshëndet vendimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për t’i dhënë shtetësinë shqiptare një burri të mençur si kryepeshkopi Anastas. Një vendim që njeh kontributin e tij të thellë njerëzor dhe për forcimi në besimit ndërmjet dy popujve tanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button