fbpx

Bode, kandidati përfundimtar i PD-së për president?

Fundjava ka nisur e trazuar për Partinë Demokratike, e cila është duke shtrënguar radhët për Presidentin, po mat pulsin e aleatëve dhe po bën kalkulimet në mënyrë që të arrijë të mos tregojë shenja dobësie për faktin se pa Lëvizjen Socialiste për Integrim, e ka të vështirë të zgjedhë një President me 71 vota.

Kështu, burime në selisë blu, bënë të ditur se një nga skemat që pritet të përdorë PD-ja për të mos rrezikuar reputacionin në lidhje me faktin se nuk siguron dot kompromisin për një President me 84 vota, është të mos paraqesë asnjë kandidat në tre raundet e para të votimit në Parlament. Me qëndrimin e ftohtë të Kryeministrit Berisha ndaj negociatave me vetë kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, duket se PD nuk beson dhe dëshiron një President me 84 vota.

Por shpresa se do të “gjejë gjuhën” e përbashkët me aleatët për zgjedhjen e një Presidenti që vjen nga radhët e PD-së, nuk është shuar dhe për të parë nëse kjo do të arrihet, palët duhet të kalojnë në raundin e katërt të votimit. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se nga PD dy janë kandidaturat me të favorizuara për President, nënkryetarja e kësaj force politike,

Jozefina Topalli dhe sekretari i Përgjithshëm, Ritvan Bode. Burimet bëjnë të ditur se në terrenin e negociatave brenda PD-së, ministri i Financave, Ritvan Bode po fiton terren më shumë për të qenë kandidatura përfundimtare e PD-së për këtë proces.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijon të jetë një nga favoritet kryesore brenda PD-së për t’u zgjedhur si kandidaturë për presidente. Por një anë që Boden e diferencon nga Topalli dhe qe e ben kandidat kryesor, raporton Shqip, është pikërisht ana jo konfliktuale e tij me opozitën. Ky reputacion mund të bëjë që Berisha, të nxjerrë ministrin e tij të Financave si kandidaturë për President në raundin e katërt të votimit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close