Vdes personi i dytë i kërkuar në listën e nazistëve

Klaas Carel Faber, personi i dytë më i kërkuar në botë në listën e nazistëve të Luftës së Dytë Botërore, ndërroi jetë mëngjesin e së dielës në moshën 90-vjeçare, në banesën e tij në Gjermani.

Një ish anëtar i njësive elitë të nazistëve, Faber ishte prej dekadash i përndjekur nga kërkesat e vazhdueshme të institutit hebre, “Simon Wiesenthal”, për ta gjykuar për krimet e tij. Faber u dënua në vitin 1947 për vrasjen e 22 hebrenjve në kampin e Vesterbrokut, por pasi kërkesa për faljen e jetës u pranua, dënimi i tij u shndërrua në burgim të përjetshëm.

Ai u arratis nga burgu në të cilin vuante dënimin në Holandë, duke u zhvendosur në Bavari, ku u pajis edhe me pasaportën gjermane në vitin 1952. Disa tentative për ta rikthyer atë në burg ose për ta rigjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve kundër Njerëzimit dështuan, pasi gjykata të ndryshme në Gjermani hodhën poshtë kërkesat për ekstradim, me argumentin se Faber ishte një qytetar gjerman. Faber drejtoi gjatë luftës një njësi përgjegjëse për vrasjen e 50 qytetarëve holandezë dhe dhjetëra hebrenjve.

Një anëtar i njësisë së tij, Heinrich Boere, u dënua me burgim të përjetshëm në një burg gjerman në vitin 2010 për të njëjtat akuza, por në rastin e Faber, provat nuk u konsideruan asnjëherë si bindëse. /botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button