Nikolic vazhdon politikën e Tadicit ndaj Kosovës

Analisti politik Ilir Deda, vlerëson se zgjedhja e Tomislav Nikolicit për kryetar të Serbisë nuk do të ketë asnjë ndikim në pozicionin e Serbisë ndaj Kosovës. Ai tha se qëndrimet e Nikolicit nuk ndryshojnë shumë nga ato që kishte ish-presidenti Boris Tadic.

“Sigurisht se e kaluara politike e Nikolicit është një hendikep i madh, por, sipas mendimit tim, politika Partisë Demokratike dhe Partisë Përparimtare Serbe lidhur me Kosovën në fakt ndryshojnë vetëm në nuanca”, ka thënë Deda për gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit, transmeton B92.

Ai tha se politika e Serbisë ndaj Kosovës varet vetëm nga Qeveria dhe kryeministri, duke thënë se nuk është realiste të pritet se qeveria e ardhshme serbe do të devijojë nga rruga e integrimit evropian.

Sipas tij, ata që mbrojnë idenë për ndarjen e Kosovës, në fakt e çojnë rajonin në një fazë të re të destabilizimit, me mundësinë e shpërthimit të konflikteve të reja.

“Një qëndrim i tillë eventual, më së shumti do të dëmtojë vetë Serbinë dhe popullin serb në Ballkan”, tha Deda. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button