RDK: Pozita e BDI-së në Qeveri është ajo e vasalit të Gruevskit

Rilindja Demokratike Kombëtare sot përmes ueb sajtit zyrtar sulmoi partinë shqiptare në pushtet, si kundërpërgjigje e komunikatës së para dy ditëve të BDI-së. Kujtojmë se BDI para dy ditësh bëri thirje që “shqiptarët të mos bëhen vasal të LSDM-së”, ndërsa sot RDK akuzoi BDI-në se ajo është vasale e Gruevskit. Ky është reagimi i plotë i RDK-së:

 “Samiti i Çikagos shënoi dështimin e rradhës të politikës arrogante të Qeverisë së Gruevskit dhe konfirmoi rolin e vasalit për partnerin e tij shqiptar të koalicionit. Përmendja e disa arsyetimeve të mjera nga BDI, përmes zëdhënësit të saj, të quajtura si kontribute të BDI-së në tre fusha, janë lojra fëmijësh, të cilat edhe për 1.000 vjet nuk mund të kenë asnjë efekt që Gruevski të ndryshojë politikat e tij.

RDK mendon se dështimi i pritshëm i Çikagos vjen pas talljes së VMRO-së me BDI-në, duke mos i dhënë asaj asnjë ministri apo drejtori me peshë në qeverinë aktuale, por duke ia ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe Sektorin e Eurointegrimeve, hapësira dhe roli i të cilave është i bllokuar që në start, nga moszgjidhja e problemit me Greqinë. Rezultat i kësaj politike kanë qenë edhe lajmet e shpeshta pompoze, për ofenzivat e mëdha të Zv. Kryeministres së eurointegrimeve dhe të Ministrit të mbrojtjes, që pastaj shumë shpejt kanë përfunduar si fluska sapuni!

RDK mendon se BDI, me politikën e saj servile dhe vasale ndaj VMRO-së, ka shërbyer në vazhdimësi si dekor dhe instrument për legjitimimin e politikave diskriminuese të qeverisë ndaj shqiptarëve.

Sjellja e BDI-së, me refrenin tashmë të bërë bajat, për eurointegrimin si prioritet i saj, për më shumë se dhjetë vjet, i ngjan studentit të dështuar që megjithëse bjen në çdo provim të rradhës, vazhdon të përsëris prioritetin e tij për diplomim!

Në vend që të marr përgjegjësinë për dështimet e rolit të saj në qeveri, BDI vazhdon me premtime boshe që zgjasin me dekada deri në pafundësi, si edhe për të gjitha problemet tjera të pazgjidhura. E paaftë për të bërë çfarëdo veprimi për të kontestuar politikat ilozuese dhe pseudoantikuizuese te Gruevskit, tashmë është e qartë se i vetmi premtim që BDI mund të bëjë është thënja e njohur popullore se shpresa vdes e fundit” – thuhet në komunikatë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button