Thaçi e Berisha urojnë Ronën

Kryeministri i Kosovës, Hahim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Sali Berisha, kanë uruar këngëtaren Rona Nishliu, për suksesin e arritur dhe përfaqësimin dinjitoz në festivalin evropian të këngës “Eurovision 2012”.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim shpreh urimet më të mira për suksesin e këngëtares kosovare, Rona Nishliu, e cila i përfaqësoi në mënyrë dinjitoze vlerat e Kosovës nën flamurin kombëtar shqiptar në festivalin e Këngës Evropiane ‘Eurovision’”, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi

Më tej në urim thuhet se, talenti i rrallë i interpretimit i Ronës dhe emocionet që ajo i përcolli në skenën e Bakusë i lanë të mahnitur teleshikues nga të gjitha vendet e Evropës, të cilët përmes votave të tyre bënë që këngëtarja kosovare të radhitet lartë në këtë garë.

“Rona Nishliu është shembulli më i mirë i suksesit të të rinjve të Kosovës, të cilët kanë vlera dhe potencial të madh në të gjitha fushat, me theks të veçantë në art, kulturë dhe në sport”, thuhet ndër të tjera në urimin e Thaçit.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e ka uruar këngëtaren shqiptare, duke e cilësuar si zërin absolut të kompeticionit evropian të këtij viti.

Kryetari i Qeverisë i telefonoi menjëherë pas përfundimit të festivalit, këngëtares Rona Nishliu dhe i përcolli urimet më të përzemërta për suksesin e shkëlqyer si dhe për përfaqësimin dhe interpretimin dinjitoz, raporton noa.al.
“Për shqiptarët, por jo vetëm për ata, ajo ishte zëri absolut i Festivalit dhe se i kishte përfaqësuar shqiptarët në mënyrën më të mrekullueshme”, tha Berisha, duke uruar edhe ekipin shqiptar për suksesin e arritur në Festivalin Evropian të këngës “Eurovision 2012”. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button