Të paktën 18 viktima dhe mbi 50 të zhdukur në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Filipine

Të paktën 18 persona e kanë humbur jetën sot, ndërsa më shumë se 50 rezultojnë si të zhdukur në përmbytjet dhe rrëshqitjen e dheut, të shkaktuara nga stuhia tropikale Tembin e cila e goditi pjesën jugore të Filipineve, njofton DPA.

Mbi 15.000 persona janë evakuuar për shkak të stuhisë, e cila e përfshiu rajonin jugor Mindanao me shpejtësi të erërave nga 90 kilometra në orë, ndërsa në fillim të ditës mbërrinin edhe deri në 125 kilometra në orë.

Në qytetin Tubod, në provincën Lanao del Norte, një fshat bujqësor është goditur nga përmbytje dhe rrëshqitje të dheut, me ç’rast janë përfshirë 100 shtëpi. Në motin e lig jetën e kanë humbur të paktën 11 persona, njoftuan autoritetet lokale.

“Më shumë se 50 banorë rezultojnë si të zhdukur në fshat”, deklaroi Roj Sikuja, shef i agjencisë provinciale për ndihmë gjatë katastrofave.

Në provincën fqinje Lanao del Sur, shtatë persona e kanë humbur jetën gjatë përmbytjeve në tre qytete, ndërsa katër rezultojnë të zhdukur.

Javën e kaluar mbi 50 persona e kanë humbur jetën gjatë rrëshqitjes së dheut dhe përmbytjeve, të shkaktuara nga stuhia tropikale Kai-Tak, e cila i goditi pjesët qendrore të Filipineve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button