Tevdovski: Rritje stabile ekonomike, jetë më të mirë dhe drejtësi më të madhe sociale me buxhetin për vitin 2018

Propozim-buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 është reflektimi më i mirë i angazhimit të Qeverisë së re për arritjen e qëllimeve dhe prioriteteve kyçe të shoqërisë, shkallë më të larta të rritjes së ekonomike, rritje të punësimit produktiv, rritje të standardit të jetesës së popullatës, qeverisje të të drejtës, arritje në nivel më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensifikim të proceseve integruese për BE dhe NATO.

Këtë e theksoi ministri i Financave, Dragan Tevdovski duke e elaboruar Propozim-buxhetin plotësues për vitin 2018 në Kuvend, me të cilin Qeveria nga Propozim-buxheti i përgatitur paraprakisht propozoi mjete shtesë për gazifikimin në vlerë prej 120 milionë denarë të dedikuara për shpronësim, për bllok dotacionet për kopshtet, shkollat fillore dhe të mesme dhe institucionet kulturore 200 milionë denarë, 100 milionë denarë për Fondin për shëndetësi për furnizim të ilaçeve dhe 10 milionë denarë për Inspektoratin për mjedis jetësor. Në propozim-buxhetin shtesë janë vendosur edhe gjashtë amendamente që janë pranuar në komisionet kuvendore, transmeton MIA.

Të ardhurat e përgjithshme në Buxhetin për vitin 2018 janë projektuar në 193,5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 211,7 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është projektuar në 18,2 miliardë denarë ose 2,7 për qind nga BPV-ja, gjegjësisht ulje në krahasim me vitin e kaluar për 0,2 për qind pikë. Shkalla e inflacionit pritet të jetë në nivel prej 1,7 për qind. Në vitin 2018 nuk planifikohen ndryshime më të mëdha tatimore. Është planifikuar rritje e akcizës së naftës për tre denarë.

Sipas Tevdovskit, propozim-buxheti e tregon përcaktimin e fuqishëm të qeverisë për shpenzim efikas, ekonomik dhe transparent të parave të shtetit.

“Siç mund të shihet qartë nga propozimi ynë, paratë e popullit do të shpenzohen në masa të duhura që do të kontribuojnë për përmirësimin e ekonomisë dhe jetës së qytetarëve e jo në shpenzim të panevojshëm dhe projekte të panevojshme. Në propozim-buxhetin për vitin 2018 janë paraparë më shumë mjete për shtyllat kyçe të shoqërisë, paga më të larta në armatë, shoqëri, arsim dhe kujdes të fëmijëve. Ka më shumë mjete për përafrim deri te standardet e NATO-s, për mbështetje të ndërmarrjeve vendore dhe për masat për punësim, si dhe për investime kapitale, ndërsa ka edhe për kthimin e borxheve paraprakisht të marra dhe detyrimeve të papaguara”, tha ministri i Financave.

Sipas ministrit, buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 pasqyron politikat ekonomike dhe sociale që do t’i zbatojë Qeveria, përkatësisht projektet që janë në drejtim të arritjes të rritjes së qëndrueshme ekonomike, jetë më e mirë për qytetarët si dhe nivel më i lartë i së drejtës shoqërore. Në të njëjtën kohë, thotë, ai pasqyron vendosmërinë e Qeverisë për menaxhim efikas dhe nikoqirit të mirë  me paratë publike.

Ministri thekson se ulja e deficitit është reflektimi më i mirë i vendosmërisë së Qeverisë për konsolidim gradual fiskal e cila do të arrihet përmes kontrollit të rreptë dhe disiplinës së fuqishme buxhetore në uljen e shpenzimeve më pak produktive, duke siguruar njëkohësisht sasi të konsiderueshme të investimeve kapitale dhe subvencioneve për mbështetje të ekonomisë vendore, si dhe mjete për  nivel më të lartë të drejtësisë sociale.

“Jemi fuqishëm të bindur që kjo qasje në linjë të fundit do të sigurojë përmirësimin e performancave ekonomike dhe standardin e jetesës. Në të njëjtën kohë, ulja e deficitit buxhetor paraqet konfirmimi më të mirë për pune të nikoqirit të mirë dhe të përgjegjshme, jo një humbje e parave të popullit siç ishte në praktikë në të kaluarën”, theksoi ministri

Duke theksuar se projeksionet makroekonomike dhe fiskale në propozim janë realiste, tha se me qasjen e tillë dëshirohet të shmanget përsëritja e disa problemeve të kaluara me likuiditetin e pagesave nga thesari ose arritja e një deficiti më të lartë nga ai i planifikuari.

Në buxhetin për vitin 2018 për pagesën e pagave janë projektuar 27.1 miliardë denarë, ku është paraparë rritje e pagave për pjesëtarët e ARM-së për 10 për qind nga janari edhe për pesë për qind  rritje të pagave nga tetori i punonjësve shëndetësorë dhe të punësuarve në shkollat fillore dhe të mesme dhe kopshte. Për mallra dhe shërbime janë projektuar 17.6 miliardë denarë, për transfere sociale 98.8 miliardë denarë, për të drejtat e mbrojtjes sociale janë planifikuar tetë miliardë denarë , ku përfshihen mjete për subvencionimin e pagës minimale në vlerë prej 461 milionë denarë,  për investimet kapitale janë ndarë 24.1 miliardë denarë dhe ato janë më të larta për 3.2 për qind që nga viti 2017.

Deficiti buxhetor prej 18,2 miliardë denarë dhe 22,7 miliardë denarë për pagesë të borxheve të vjetra do të nevojiten 40,9 miliardë denarë të cilat shteti do t’i sigurojë përmes kombinimit të huamarrjes jashtë shtetit dhe në tregun vendor përmes letrave shtetërore me vlerë.

“Huamarrja jashtë shtetit mund të realizohet përmes emetimit të euro-obligacioneve ose përmes tërheqjes së mjeteve nga kredi të huaja të volitshme. Madje, zgjedhja e burimit konkret për financim të jashtëm do të bazohet në gjendjet vijuese dhe të pritura në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Më tej, me huamarrje në tregun vendor të letrave shtetërore me vlerë do të sigurohet financim plotësues nën kushte të volitshme, duke i shfrytëzuar normat relativisht të ulëta të interesit dhe interesin e lartë të investuesve”, tha ministri.

Ministri pret që në vitin e ardhshëm ekonomia vendore në mënyrë plotësuese të rimëkëmbet nga ndikimet negative të pasigurisë politike në vend në gjysmën e parë të këtij viti. Projeksioni për rritjen reale ekonomike për vitin e ardhshëm është 3,2 për qind.

Nxitës i konsiderueshëm i rritjes ekonomike pritet të jetë konsumi privat i cili pritet të shënojë rritje prej 2,8 për qind në bazë reale

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button