CAR: Armë të prodhuara në Shqipëri përdoren nga SHI-ja

Një hetim trevjeçar në Irak dhe Siri i kryer nga “Conflict Armament Research” (CAR) e rendit Shqipërinë në tabelën e vendeve prodhuese, nga të cilat janë dokumentuar sasi armësh që përdoren nga Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Në tabelat “Sasitë e armëve të dokumentuara në Irak dhe Siri, sipas shtetit të prodhimit”, të cilën e transmeton Gazeta Shqip, Shqipëria rezulton me 53 armë të identifikuara, ose 0.13 për qind të totalit, nga të cilat 21 në Irak dhe 32 në Siri.

Nga vendet e rajonit, sasia më e lartë e armëve të identifikuara është nga Serbia (1.211) dhe Bosnja (704).

Shteti i parë figuron Rusia, me 25.5 për qind të totalit, i ndjekur nga Kina, me 25.4 për qind.

Sipas raportit, rreth 90 për qind e armëve dhe municioneve (97 për qind dhe 87 për qind, përkatësisht) të shpërndara nga forcat e SHI-së janë kalibra të Paktit të Varshavës – me origjinë kryesisht në Kinë, Rusi dhe vende prodhuese të Evropës Lindore. Armët e kalibrit të NATO-s dhe municioni janë shumë më pak të përhapura, duke përbërë 3 për qind dhe 13 për qind të totalit, respektivisht; megjithëse këto sasi janë të ulëta, forcat e SHI morën sasi të konsiderueshme të armatimit të NATO-s gjatë sulmeve fillestare ndaj forcave irakiane në vitin 2014.

Conflict Armament Research është një organizatë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që monitoron lëvizjen ndërkombëtare të armëve konvencionale, municioneve dhe materialeve ushtarake. Grupi monitoron zinxhirin e furnizimit të armëve që përdoren ilegalisht në zonat e konfliktit për të gjetur se si devijohen dërgesat e armëve.

Raporti “Armët në Shtetin Islamik”, i publikuar në dhjetor 2017 është rezultat i më shumë se tre vjet hetime në terren për zinxhirët e furnizimit të Shtetit Islamik. Dokumenti është financuar nga Bashkimi Europian dhe Zyra Federale e Jashtme e Gjermanisë. Ai paraqet një analizë të më shumë se 40,000 artikujve të rikuperuar nga grupi midis 2014 dhe 2017.

Këto objekte përfshijnë armë, municione dhe komponentët gjurmues dhe agjentët kimikë të përdorur për prodhimin e pajisjeve shpërthyese të improvizuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button