Ferizaj në zgjedhje për kryetarin e Komunës

Sot, qytetarët e Ferizajt do të votojnë në raundin e dytë për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre. Demokracia në Veprim është duke monitoruar procesin zgjedhor në Ferizaj, ndërsa monitoruesit kanë konstatuar se shumica nga 25 qendrat e votimit në Ferizaj kanë qenë të gatshme për votim dhe janë hapur me kohë, përkatësisht në orën 7:00, përjashtuar tre vendvotime që kanë pasur vonesa deri në 10-15 min.

Materialet sensitive kanë ardhur me kohë në vendvotime gjë që ka mundësuar fillimin e rregullt të procesit të votimit. Në të gjitha këto qendra, pjesëmarrja e komisionerëve është në numrin dhe kohën  e duhur sipas planifikimit dhe procedurave ligjore, megjithatë në qendrën 2513d është vërejtur lëvizje e komisionerëve, të cilët po dalin nga vendvotimet duke mbetur me vetëm nga 2 komisionerë, ndoshta si rezultat i pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve në orët e para të votimit.  

Listat e votuesve nga raundi i parë deri tani në balotazh vlerësohen të pandryshueshme dhe nga vëzhguesit tanë  janë  hasur  raste ku personat e vdekur janë ende në listat e votuesve.
Deri në ora 9-të, sic raportojnë vëzhguesit e DnV-së, komisionerët po zbatojnë të gjitha procedurat e parapara rreth evidentimit dhe verifikimit të dokumentave, të procedurës së shenjimit me sprej dhe kontrollit me llamba ultraviolente.

Deri më tani, të paktën në një qendër, është raportuar se ka votues të cilët kanë pasur probleme dhe vështirësi në gjetjen e emrave të tyre në listat e votuesëve, duke iu bërë ndërrimi i vendvotimit, dhe nuk ka pasur informata të duhura dhe me kohë rreth asaj se ku duhet të votojnë. Kjo ka ngjarë në qendrën 2513d.

Po ashtu është raportuar edhe për 3 raste të votimeve familjare në qendrën 2515d.
Në 25 qendrat e votimit në Ferizaj, deri më tani nuk është hasur prania e personave të paautorizuar, nuk janë vërejtur presione dhe nuk janë evidentuar pritje të gjata.
Deri më tani në këtë kohë të gjithë qytetarët të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në votimin për raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarit të Ferizajt kanë mundur në mënyrë të lirë përmes votimit të shprehin vullnetin e tyre.

Duke pasur parasysh që në raundin e parë pjesëmarrja e qytetareve për të votuar ka shprehur shkallën më të ulët të pjesëmarrjes nga të gjitha zgjedhjet në Kosove dhe sot sipas të dhënave të Demokracisë në Veprim, deri në orën 09:00, kanë votuar mbi 2 për qind./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button