Besimi: BDI nuk i ka tradhtuar votuesit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk i ka tradhtuar votuesit e saj sa i përket integrimeve euroatlantike, ngaqë ky subjekt dhe qeveria përgjithësisht ka punuar intensivisht për të qenë pjesë e NATO-s. 

Kështu thotë në intervistën e përjavshme për Radio Evropa e Lirë (REL), ministri i Mbrojtjes dhe zyrtar i BDI-së, Fatmir Besimi.

Në pyetjen se a ndjen përgjegjësi për rezultatin në Samitin e Çikagos,  Ministri Besimi u shpreh se rezultati i Samitit nuk është diçka e papritur. Sipas tij, ka qenë e ditur se Samiti nuk parasheh zgjerim dhe se Maqedonia nuk do të marrë ftesë pa e zgjidhur çështjen e emrit.

Më tej ai thotë se kanë bërë çdo gjë të mundshme, në kontakt me shtetet anëtare të NATO-s, por edhe në kontakt të drejtpërdrejtë me Greqinë.

REL: A mendoni edhe ju se Maqedonia nuk ka marrë mjaftueshëm mbështetje nga Fuqitë e Mëdha në Çikago? 

“Unë do të thosha se në këtë funksion shtetëror, si ministër i Mbrojtjes, nuk kam të drejtë të shfaq emocionet e mia, por jam i obliguar (ta bëjë) atë që qytetarët ma kanë besuar dhe e presin prej nesh, ndërsa kjo është të rrumbullakojmë këtë proces të integrimeve euroatlantike. Ashtu dhe do të bëj”, thekson Besimi. 

REL: Z. Besimi, nga opozita ju kanë akuzuar së fundi se ju si parti që mbani resorët kyçë duhet t’u kërkoni falje në njëfarë mënyre shqiptarëve për mossuksesin në procesin e integrimeve, si ato evropiane ashtu edhe euroatlantike. 

“E para, mandati nuk ka përfunduar, qytetarët votojnë çdo katër vite. E dyta, Samiti i NATO-s në Çikago nuk ka qenë samit i zgjerimit dhe nuk mund të llogaritet si mossukses. Integrimet euroatlantike dhe NATO-ja, janë proces. E treta, ne kemi punuar intensivisht në këtë periudhë për adresimin e çështjes së hapur që qëndron ende përpara ftesës zyrtare për anëtarësim në NATO të Maqedonisë. Në këtë periudhë jemi ballafaquar me situatë kur ka munguar partner i vazhdueshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje të hapur. Nga ky këndvështrim, mendoj se ne nuk kemi tradhtuar askënd nga votuesit tanë, pasi kemi punuar intensivisht në këtë periudhë dhe do të vazhdojmë të punojmë tutje edhe më intensivisht. Nuk dua t’i qasem me naivitet kësaj çështjeje, por ajo është (çështje) komplekse që zgjat prej 17 vitesh dhe çdo parti, qoftë në pushtet apo në opozitë, ka pasur mundësinë ta zgjidhë atë në mandatin e vet”, thotë Besimi.

REL: Lideri juaj kërkoi monitorim të pavarur për rastin “Monstrum”. A keni ju si parti ndonjëfarë dileme rreth hetimeve dhe epilogut (të tyre)? 

“Para së gjithash, ky proces duhet të jetë fer dhe transparent konform ligjeve të Maqedonisë. E dimë se në këtë proces, ata që janë të pafajshëm do të përgjigjen para ligjit, por askush që nuk është fajtor nuk do të pësojë nga ky proces. Kjo është çështje principiele që është e definuar edhe në Kushtetutën e Maqedonisë dhe ne do të vazhdojmë edhe më tutje ta provojmë këtë. Si partner koalicioni, mbesim në atë se procesi duhet të zhvillohet në suazat e sistemit gjyqësor me qëllim zgjidhjen e këtij procesi, që të mos politizohet, sepse ajo që duhet në Maqedoni është të kultivohen raportet e mira ndëretnike, respekti i ndërsjellë, përderisa ajo që ndodhi, vrasja e pesëfishtë, si akt ishte e vlerësuar si ndër më të këqijtë nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, thotë Besimi. 

I pyetur se a ka Maqedoniando një strategji për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, Besimi u përgjigj:

-Strategjia më e thjeshtë janë bisedimet me Greqinë, gjegjësisht një dialog i hapur dhe intensiv me Greqinë në lidhje me këtë çështje, me qëllim që të largohen dilemat dhe të përforcohet besimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Në këtë periudhë, jo se nuk kishte interes nga ana jonë, por thjeshtë nga ana e Greqisë, e cila tani po ballafaqohet me probleme të shumta ekonomike.

REL: A mendoni se ne mund ta zgjidhim çështjen e emrin pa përkrahjen e fuqive të mëdha?

“Mendoj se asnjëherë nuk kemi qenë vetë në këtë çështje. Parasë gjithash, ne jemi një shtet nën mbikqyrje të OKB –së dhe në këtë proces normalisht se sipas nevojësjanë kyçur edhepartnerëttanë, shtetet të cilat janë miq të Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë, si SHBA-të dhe BE”, u shpreh ai./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button