Sondazh: Për 33,8 për qind të qytetarëve gjendja në shëndetësinë publike në Maqedoni është e mirë

Numri më i madh i qytetarëve ose 33,8 për qind me notën mirë (tre) e kanë vlerësuar gjendjen në shëndetësinë publike në Maqedoni, tregon hulumtimi i perceptimeve të qytetarëve për shëndetësinë publike, të realizuar nga M-prospekt për Qendrën e Maqedonisë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe Televizionin Telma.

Në pyetjen “Se si do ta vlerësonit gjendjen me shëndetësinë publike në Maqedoni?” notë më të ulët (një) kanë dhënë 18 për qind e të anketuarve, me dy 14,6 për qind, me katër 16,3 dhe me pesë 15,8 për qind e të anketuarve,përcjell MIA. 

Sipas hulumtimit, mbi 60 për qind e qytetarëve e kanë shfrytëzuar shërbimin “Termini Im” gjatë 12 muajve të fundit.

Numri më i madh i të anketuarve ose 19,2 për qind kanë thënë se kanë arritur që një termin për kontroll të caktojnë për më pak se tre ditë, ndërsa në anën tjetër vetëm 2,4 për qind kanë thënë se terminin e kanë caktuar “për më shumë se gjashtë muaj”. Pothuajse gjysma e të anketuarve, gjegjësisht 49,1 për qind në terminin e caktuar kanë qenë në kohë, ndërsa për 22,5 për qind janë vonuar.

Hulumtimi tregon se krahas notave të larta për shërbimin “Termini Im”, gjithsej 68,2 për qind e të anketuarve deri në tërësi ose deri diku dakordohen me deklaratën se nuk mund të caktohet kontroll tek specialisti në qoftë se nuk ka të njohur, gjegjësisht lidhje në shëndetësinë publike.

Shumica e qytetarëve ose 67,4 për qind, megjithatë, konsiderojnë se sektori shëndetësor privat ofron shërbime më cilësore dhe profesionalizëm më të lartë, edhe pse, sipas pothuajse 62 për qind e të anketuarve, ajo ka qenë e paqasshme për shkak të çmimeve të larta. Shumicë e madhe, gjegjësisht 91 për qind e të anketuarve konsiderojnë se sigurimi shëndetësor duhet të mbulojë edhe shërbime nga shëndetësia private.

Sa i përket qasjes deri te ilaçet nga lista pozitive, 57,7 për qind e të anketuarve konsiderojnë se ato ilaçe vazhdimisht janë qasëse.

Numër i madh i qytetarëve ose 38,6 për qind konsiderojnë se shëndetësia publike pak kujdeset për personat me sëmundje të rralla, ndërsa shumica konsiderojnë se personat me handikap nuk trajtohen në mënyrë adekuate në shëndetësinë publike dhe se institucionet shëndetësore publike në Maqedoni nuk janë të aftësuara për persona me handikap. Kjo u dedikohet edhe shërbimeve shëndetësore publike të cilët, konsideron shumica, nuk janë të aftësuara për personat me handikap.

Sondazhi është realizuar përmes thirrjeve telefonike në periudhën nga 11 e deri më 18 dhjetor të vitit 2017 mbi ekzemplar reprezentativ prej 1.000 të anketuar.

Hulumtimi është pjesë e projektit “Top tema në anën tuaj”, e mbështetur nga USAID-i.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button