Tiranë, nesër fillojnë negociatat mes PD dhe PS për Presidentin

Nesër fillojnë negociatat mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për presidentin, por sikurse është njoftuar nuk do jetë një takim në nivel kryetarësh. Burime nga kryesia e kuvendit bëjnë të ditur se nesër në orën 11:00 në tryezë do të ulen krerët e grupeve parlamentare të dy partive të mëdha, PD dhe PS përkatësisht Astrit Patozi dhe Gramoz Ruci. 

Në këtë takim Patozi i PD-së do të shoqërohet nga anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Edmond Spaho, ndërsa përfaqësuesi tjetër i Partisë Socialiste do të jetë Sajmir Tahiri.

Dy kryetarët e partive, Patozi e Ruci kanë konfirmuar takimin e nesërm mes palëve. Ka qenë kreu i grupit PD, Astrit Patozi, i cili një ditë më parë ftoi Rucin të nisin negociatat për këtë çështje.

Ndërkaq duhet theksuar se të gjitha takimet e Berishës dhe Ramës me partitë e tjera parlamentare për çështjen e presidentit janë zhvilluar në nivel kryetarësh, ndërkohë që është shmangur vetëm takimi kryesor mes dy politikanëve më të rëndësishëm të vendit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button