Pse nuk vlen amnistia për ish ushtarin Ibrahim Sulejmani?

I harruar nga pushteti dhe nga disa bashkëluftarë, ish ushtari i UÇK-së Ibrahim Sulejmani vazhdon të mbetet në burgun e Shtipit, edhe pse ligji për amnisti duhej t’ia dhuronte atij lirinë.
Sipas fjalëve të Ibrahimit, ai tash e nëntë vite është duke u përballur më mashtrime dhe gënjeshtra nga shokët e tij të idealit dhe assesi të del nga burgu. Vazhdon të bredhë nëpër korridoret e gjykatës si në veprën e Franc Kafkës, duke pritur vendimin për një pafajësi që është dëshmuar me qindra herë.

“Bashkëluftarët të cilët sot janë duke qëndruar në karrigen e butë të pushtetit, më japin shpresë se një ditë do ta shijoj lirinë për të cilën vesha uniformën në vitin 2001” flet nga burgu i Shtipit, Sulejmani për Portalb.

Sipas tij, arsyeja pse ai nuk lëshohet nga burgu është mos të kërkojë dëmshpërblim nga shteti.
“Të hollat që do t’i marr nga dëmshpërblimi nuk janë të holla të cilat do t’i japin shqiptarët por të holla që dalin nga qeveria e Maqedonisë dhe kjo është arsyeja e vetme që nuk më lëshojnë. Pas miratimit të ligjit të amnistisë kamë dalë edhe dy herë në gjykatë, tash kam edhe një gjykim, por nuk e dijë se kur do më lëshojnë? Siç ju thash mua nuk më lëshojë vetëm pse duhet të më japin dëmshpërblim. Edhe avokati më thotë që presim një vendim por nuk e din se kur do të vijë ai vendimi, unë jam duke e pritur nëntë vite në burg” tha Sulejmani.

Babai i Ibrahimit të cilin nuk e ka lodhur aq shumë pleqëria se sa pritja e birit të tij thotë se ka marrë shumë premtime por gati një dekadë ato mbeten boshe.

“Nëntë vite jam duke bredhur rrugëve për të kërkuar lirimin e djalit tim. Nga koha kur ka qenë ministër i drejtësisë Ixhet Memeti e deri më sot kam marrë shumë premtime. Unë nuk kam për të paguar avokat. Nga Shoqata e veteranëve më kanë thënë se ato për ish luftëtarët kanë angazhuar avokatin, por edhe ai na thotë se presim vendim, as ligji i amnistisë nuk arriti ta lirojë nga burgu Ibrahimin tim” thotë  Rasim Sulajmani.

Pas burgosjes së Ibrahimit familja e tij jeton në kushte shumë të vështira, në një shtëpi njëdhomëshe me të ardhura minimale./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button