Kush do të zëvendësojë Ahmetin e Thaçin ?

Gjithnjë e më tepër përflitet për opsionin e tretë politik në Maqedoni. Së fundmi e përditshmja “Nova Makedonija” ka ringjallur thashethemet se që në verë do të formohet parti e re shqiptare.

Sipas burimeve të njëjta, partia e re do të jetë e orientuar majtas nga qendra, dhe se tashmë ka përkrahje të gjerë nga diaspora shqiptare.
Por, a kanë nevojë shqiptarët e Maqedonisë për opsion të ri politik, për përçarje të mëtejshme të votës së tyre apo për unifikim dhe menaxhim të mirë të saj? Kush garanton se një opsion i ri politik nuk do të sjellë fiasko edhe më të rëndë se ajo e zgjedhjeve të kaluara?

Sipas analistëve, në zgjedhjet e kaluara pamë se si “u dogj” Demokracia e Re e Imer Selmanit, parti e cila pretendonte së paku 2-3 deputetë, ndërsa përfundoi pa asnjë. Në të njëjtat zgjedhje RDK e Rufi Osmanit, i cili deklaroi se pret 20 deputetë, por që objektivisht pritej të shkon deri në 5 deputetë, fitoi vetëm dy.  Si pasojë, numri i shqiptarëve në parlament u ul për tre deputetë nga formacioni i mëhershëm i parlamentit, në favor të partive maqedonase LSDM e DPMNE. E gjithë kjo pas përçarjes së votës shqiptare në katër opsione politike më të mëdha, pa e numëruar këtu BDSH, e cila gjithashtu “vodhi” rreth 2 mijë vota.

“Është evidente se partitë ekzistuese nuk janë zgjidhje. Këtë më së miri e artikuluan protestat e majit, ku një numër i madh qytetarësh “delegjitimuan partitë shqiptare” u shpreh Kim Mehmeti në një emision ne gjuhën maqedonase.

E le të kemi opsion të ri politik, po kush të jenë ata? Ndër emrat që qarkullojnë janë Kim Mehmeti, Shefki Idrizi, pronar i Renova-s dhe D-r Jeton Shasivari. Ky i fundit për Portalb hodhi poshtë tendencat e tilla, duke thënë se për momentin nevojitet unifikim i votës shqiptare.

Si emër më i përfolur mbetet Kim Mehmeti. Më i përfolur për shkak të propagandës mediatike që e udhëheqë, prezencës së tij në media që është dyfish më e madhe se cilido politikan tjetër shqiptar në Maqedoni.  Ai disa herë ka përgënjeshtruar këto zëra, por mbetet të shohim, thonë njohësit e sferës politike në vend.

Të dy partitë më të mëdha shqiptare nuk do ta presin me entuziazëm krijimin eventual të bllokut të tretë.
Burime partiake të PDSH-së thonë se situata e përfolur ka mobilizuar pjesëtarët e kësaj partie , ndërsa problemi për Thaçin do të ishte oferta e re politike që mund të vjen nga blloku i tretë.
Nga radhët e BDI-së mbisundon një shqetësim posaçërisht pas Samiti të NATO-s por është e ditur se  koalicioni Qeveritar nuk do të prishet. Pjesëtarët e BDI-së nuk komentojnë opsionin e tretë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button