Austri, protestë kundër qeverisë së re të djathtë ekstreme

Rreth 15 mijë protestues në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, kanë protestuar kundër koalicionit të ri qeveritar të djathtë ekstrem mes Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP) dhe Partisë së Lirisë (FPÖ), raporton Anadolu Agency (AA).

Në katër pika të qytetit, protestuesit kanë mbyllur për qarkullim një sipërfaqe prej rreth dhjetë kilometrash për protestën e organizuar nga tetë organizata joqeveritare.

Rreth 15 mijë protestues që marshuan para Pallatit Hofburg, kur mbahej ceremonia e betimit e qeverisë, mbanin pankarta me mbishkrimin “Mos lejo qeverinë e nazistëve” dhe të tilla që kërkonin “largimin e qeverisë Stache-Kurz”, duke shprehur reagimin edhe kundër çështjeve të ndryshme të programit qeveritar.

Austriakja Alexandra Pollak, e cila mori pjesë në protestën në të cilën policia ndërmori masa të rrepta sigurie, tha për AA se merr pjesë në protestë për të protestuar veçanërisht kundër figurave të FPÖ-së që njihen për afërsinë me formacionet neonaziste.

“Unë jam kundër politikave shtypëse ndaj refugjatëve. Mbështes të drejtat ndërkombëtare të njeriut, të drejtat e gruas, prandaj erdha këtu”, tha Pollak.

Ndërkaq, zëdhënësja e Grupit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Vjenë, Julia Wusch, tha se qeveria e re planifikon të rrisë çmimet në universitete.

“Sipas asaj që thuhet, qeveria e re do të kërkojë 500 euro për semestër. Studimi i mjekësisë zgjat të paktën gjashtë vite dhe, natyrisht, çmimi i përgjithshëm është shumë i lartë për ne, pasi që jo të gjithë studentët kanë mbështetjen ekonomike të familjes së tyre. Erdha në protestë për drejtësi sociale”, u shpreh Wusch.

Protesta filloi në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa zgjati afërsisht katër orë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button