Gruevski sot dy herë shpëtoi nga “bombat” e PSP-së, por ankohet se drejtësia është selektive

Ish kryeministri i Maqedonisë dhe lideri i VMRO-DPMN-së i cili sot shpëtoi nga përballja me “bombat” në dy seanca gjyqësore, ka vlerësuar se drejtësia është selektive, njofton Portalb.mk.

Gruevski sot në gjykatë është paraqitur si i akuzuar në rastet e Prokurorisë Speciale Publike, “Traektorja” dhe “Dhunë në Qendër” apo “Shuplakat”

“Bëhet fjalë për maltretim nga Prokuroria e ndikuar politikisht. Na i vendosin nga dy seanca në ditë që të ngelemi tërë ditën në Gjykatë, a kur bëhet fjalë për Zoran Zaevin nuk mund të nis seanca e tij”, tha Gruevski pas seancave para Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Meqë në rastin “Traektorja” prokurorja Speciale, Lile Stefanova tha se ““bombat” nuk mund t’iu jepen palës së të akuzuarve sepse mund të kopjohen dhe të manipulohen”, në lidhje me këtë Gruevski tha se u vërtetuan dyshimet e tyre.

“Në gjykimin për rrugët kishte një moment shokues ku vetë prokurorja publikisht tha se ka mundësi që bisedat të manipulohen, respektivisht siç tha vetë ajo, se mund të vendosen të dhëna në to. Ky është një detaj shumë interesant që vërteton dyshimet e shprehura më parë. Të kujtojë se në pajtueshmëri me nenin 12 paragrafi 2 i ligjit të procedurës penale ato materile të krijuara nuk mund të jenë dëshmi në procedurë gjyqësore”, tha Gruevski.

Gruevski shtoi duke thënë se nën trysni të pushtetit, Gjykata e Apelit në gusht solli vendim të kundërt edhe pse vetë gjykatësit janë të vetëdijshëm se ajo është në kundërshtim me ligjin.

“Edhe pse ato biseda, as unë dhe askush tjetër nuk i pranon, avokatët tonë i kanë kërkuar që t’i kenë, dhe në gjithë atë kanë marrë përgjigje se nuk mund t’i marrin, sepse nëse i marrin, mbrojtësit do të mund të hedhin poshtë ndonjë pjesë dhe me atë t’i kontaminojnë të njëjtat”, tha Gruevski.

Përndryshe, prokurorja Speciale, Lile Stefanova në seancën për rastin “Traektorja” tha se të akuzuarit në çdo kohë gjatë procedurës parahetimore dhe në procedurë hetimore kanë pasur mundësi të kontrollojnë dëshmitë.

Ndërkaq, në Gjykatën Penale u anulua seanca e rastit “Dhuna në Qendër” apo “Shuplakat” për shkak se nuk ka pasur kushte, sepse nuk është mundur të regjistrohet seanca nga mungesa e kamerave. Seanca e radhës e “Dhuna në Qendër” është caktuar për më 27 dhjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button