Sijarto në Maqedoni: Në vend të menaxhimit të migrimit, ne duhet ta ndalojmë atë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, Péter Sijarto, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, deklaroi se qëndrimi i Hungarisë mbi krizën e migrimit është i palëkundshëm, “në vend të menaxhimit të migrimit, ai duhet të ndalohet”, raporton Anadolu Agency (AA).

Sijarto tha se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me Maqedoninë, për shkak të tre aspekteve, edhe atë dy që kanë të bëjnë me sigurinë dhe një me ekonominë, për të cilën theksoi se Hungaria planifikon disa investime dhe bashkëpunime me Maqedoninë.

Duke filluar me krizën e migracionit të paligjshëm, Sijarto theksoi se Bashkimi Evropian (BE) ka përjetuar kërcënimin më të madh të terrorizmit që kur kriza e migracionit të paligjshëm ka filluar.

“Hungaria e sheh krizën e migracionit të paligjshëm si një kërcënim të madh të sigurisë për të gjithë BE-në. Pozita jonë është e qëndrueshme, në vend të menaxhimit të migrimit, ne duhet ta ndalojmë migrimin. Një inflacion i paligjshëm i një milion e gjysmë njerëzve totalisht të parregulluar dhe të pakontrolluar brenda BE-së ka vënë një rrezik të madh të sigurisë në kontinent”, deklaroi Sijarto.

Sijarto shtoi se vendi i tij respekton vendet që janë përpjekur të parandalojnë fluksin e refugjatëve dhe migrantëve të paligjshëm. Ai duke iu referuar Maqedonisë, bëri të ditur se qeveria hungareze tashmë ka vendosur që deri në tetor të vitit të ardhshëm të mbështesë këtë vend duke dërguar pjesëtarë të policisë në mënyrë të vazhdueshme për të mbrojtur kufirin jugor me kolegët e tyre maqedonas.

Më tej, shefi i diplomacisë hungareze si aspekt të dytë që ka të bëjë me sigurinë përmendi politikën e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se: “Ne duam që ky rajon të jetë paqësor. Ne duam që Ballkani Perëndimor të jetë një burim për zhvillimin e mëtejshëm të Evropës, në vend që të jetë rrezik për sigurinë e Evropës. Ne e kuptojmë se tensionet këtu në Ballkanin Perëndimor mund të tejkalohen nga integrimi evropian dhe euro-atlantik në mënyrë më të mirë”.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov, mbështeti qëndrimin e homologut të tij hungarez mbi krizën e migrimit, duke theksuar se askush nga vendet e BE-së nuk ka përfitim nga migrimi i paligjshëm, përfshirë edhe vet emigrantët e paligjshëm. Duke përmendur fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm të vitit 2015, ai theksoi se “detyra jonë është që diçka e tillë të mos na përsëritet”.

Në seancën plenare mes delegacioneve të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve, poashtu u nënshkrua Plani veprues për bashkëpunim për vitin 2018, i cili parashikon forma dhe aktivitete konkrete për bashkëpunim të mëtejshëm midis dy ministrive.

Dimitrov theksoi se ky plan veprues parashikon bashkëpunimin bilatareal mes dy vendeve në disa fusha, të tilla si marrëdhëniet dypalëshe, integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE si dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, shkencës si dhe në luftën kundër migrimit të paligjshëm.

Ai bëri të ditur se Hungaria, aktualisht është partneri i 11-të tregtar i Maqedonisë, ndërsa para disa vitesh, siç tha ai, Hungaria ishte në vendin e 26-të.

Duke theksuar se në takim është falënderuar për mbështetjen e fuqishme hungareze për integrimin evropian të Maqedonisë, Dimitrov tha se: “Vura në dukje se jemi të vendosur të bëjmë gjithçka të mundur që të mos humbasim trenin e ardhshëm për Evropën, për Brukselin, që hapet në vitin 2018. Konstatuam se marrëdhëniet dypalëshe janë me cilësi të lartë në nivel të lartë. Do të bëjmë gjithçka të mundur ta vazhdojmë këtë dialog edhe në vitin 2018”.

Ministri hungarez, Sijarto, qëndron në Maqedoni me ftesë të shefit të diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov. Siç është paraparë, ai, pasdite do të pritet edhe nga presidenti Gjorge Ivanov dhe nga kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button