Marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni, nga injorimi deri tek fqinjësia e suksesshme

Publicisti, politikani, ish-nënkryetari i partisë ORA të themeluar nga Veton Surroi dhe koordinatori i deritanishëm i Kosovës për integrimin e pjesës veriore, Ylber Hysa nga sot është ambasador i parë i Kosovës në Maqedoni. 

I përzgjedhuri nga qeveria e Kosovës për ta përfaqësuar Kosovën në Shkup, Hysa është njohës i mirë i zhvillimeve të përgjithshme në Maqedoni dhe ka pasur komunikime të vazhdueshme me politikanët shqiptarë në Maqedoni. La veriun e Kosovës, dhe misionin më sfidues që për 12 vite ka Prishtina zyrtare, integrimin e veriut me pjesë tjetër të saj dhe këtë mision e zëvendësoi me një më shumë të mundshëm,  atë të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje që kanë një histori sa të re aq edhe të vjetër.

Historiku i marrëdhënieve Kosovë-Maqedoni

Kosova dhe Maqedonia ishin pjesë e një federate të përbashkët, atë të ish Republikës Socialiste federative të Jugosllavisë. Maqedonia që kishte statusin e republikës, komunikonte me Kosovën që ishte krahinë autonome, përmes kryeqytetit të Serbisë Beogradit, që mbante brenda kufijve të vet krahinën e Kosovës. Ishte një marrëdhënie ndërtuar nga larg në Beograd, edhe pse dy vendet ishin fqinje dhe nuk kishin as kufij mes vete përpos atyre linjave administrative që i gjeje vetëm në atlaset shkollor.

Kjo marrëdhënie ndikohej në masën 100 për qind nga politika që Serbia ndiqte ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, dhe kjo më së miri vërtetohet me masat që Maqedonia mori gjatë protestave më të njohura të viteve 1968, 1981 dhe 1989. Në Kosovë ushtrohej terror i paparë, arrestime, rrahje, burgosje, mbyllje shkollash, largime nga puna, ndërsa në Maqedoni kopjohej modeli serb, edhe këtu ndodhnin të njëjtat situata.

Në disa momente reagimi Maqedonisë  ishte edhe më i ashpër, gjatë vitit 1981 u ndalua flamuri i shqiptarëve të Jugosllavisë, ai me yllin e madh në krah të shqiponjës dykrerëshe dhe u mbyllën shumica e shkollave të mesme, ndërsa te ato fillore u zbatua ‘modeli i mësimit të integruar’ që kishte për qëllim dominimin me shkollat shqipe nga mësimdhënës maqedonas. 

Pas rënies së komunizmit,  gjatë kohës së regjimit 12 vjeçar të Millosheviçit politika e Shkupit zyrtar ndaj Kosovës ngeli e pandryshuar, injoroheshin torturat e papara që ushtroheshin nga afro 40 mijë forca policoro-ushtarake serbe të sjella në Kosovë pas rrënimit të dhunshëm të autonomisë së saj.

Maqedonia u shndërruar në një qendër transiti nga e cila iknin mijëra kosovarë, sidomos të rinjtë që iknin nga mobilizim ushtarak. Qendër transiti që shumë shpesh i përcjelltë ata me nga ndonjë  shufër metali, në aeroportin e vogël e provincial të Shkupit që nuk ishte mësuar të shërbente aq shumë njerëzve.

Pas përfundimit të luftës së Kosovës me regjimin e Millosheviçit, në anën tjetër të vendkalimeve kufitare në Bllacë dhe Jazhincë flamuri serb u zëvendësua me atë shqiptar, ndërsa forcat e NATO-s veç më i kishin marrë kontrollin nga Serbia. Kjo shënoi edhe pikën kthesë në këtë marrëdhënie mes dy shteteve fqinje dhe Maqedonia më nuk mund të injoronte ekzistencën e Kosovës jashtë kontrollit të Beogradit. Më tej fillimisht u vendosën kontakte me misionin e OKB-ve, UNMIK-un që për një periudhë kalimtare u caktua të formonte institucionet e Kosovës, dhe përmes tyre edhe me të zgjedhurit shqiptarë. 

Hapi i parë që kërkohej me ngulm nga Shkupi zyrtar ishte demarkacioni i kontestueshëm i kufirit, pasi Millosheviçi menjëherë pas humbjes së Kosovës i kishte ‘falur’ pjesë të territorit të saj Maqedonisë, kufij ky që nuk pranohej nga Prishtina zyrtare. Më 17 nëntor  2009, gati dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dy vendet tani më me status të njëjtë, të pavarura, arritën marrëveshjen që përcaktonte kufirin ndarës mes tyre, dhe që i hapte rrugë njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia.

Maqedonia u bë vendi i 50-ti që njohu pavarësinë e Kosovës, edhe pse siç pritej kjo shkaktoi tërbim në Beograd, dhe dëbimin e ambasadorit të saj nga Serbia.

Kosova dhe Maqedonia vendosën marrëdhënie diplomatike më 18 tetor të vitit 2009, me çka u arrit kulmi i marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje. Kosova dhe Maqedonia tani më kanë marrëdhënie të fuqishme ekonomike,  ndërsa është shtet i vetëm me të cilin Maqedonia ka suficit tregtar.

Së shpejti, sipas paralajmërimeve nga dy vendet, pritet të arrihet edhe marrëveshje për kalimin e kufirit me letërnjoftime, të cilën gjë e pengon fakti se Kosova akoma nuk ka nënshkruar liberalizim të vizave dhe pjesa më e madhe e qytetarëve të saj nuk posedojnë një letërnjoftim biometrik i detyrueshëm për tu zbatuar një marrëveshje e tillë.

Ambasadori i Kosovës i ngelet që ta realizojë këtë synim gjatë mandatit të sapofilluar në Shkup. Nëse misioni ‘Veriu i Kosovës’ ishte mision i pamundshëm, misioni që ka në Shkup është shumë më i lehtë dhe më i realizueshëm. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button