Presidenti, Berisha: U ra dakort për konsensus më të gjerë

Kryeministri Sali Berisha, nënkryetari Astrit Patozi dhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Edmond Spaho kanë nisur sot takimet me aleatët për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Takimi i parë është zhvilluar me kreun e LSI-së Ilir Meta në kryesinë e Kuvendit ndërsa më pas në orën 15:30 do të zhvillohet një takim edhe me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se në këtë takim u ra dakort që të bëhen të gjitha bisedimet në mënyrë që presidenti i republikës të zgjidhet me konsensus më të gjerë të mundshëm.

“Unë shpreh besimin se kjo është një mundësi reale. U ra dakort që të vazhdojnë takimet intensive për të bërë sa më shpejt që të jetë e mundur vendin me kryetarin e ri të shtetit të miratuar. Vullneti i kësaj mazhorance do të jetë që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë, dinjitoz, kandidat i cili mund të nderojë vendin në detyrën e tij” shtoi Berisha.

Ai ka theksuar më tej se do të vijojë me turin e tij të takimeve për kreun e shtetit ndërsa i bëri thirrje edhe kryesocialistit Rama për të mandatuar përfaqësuesit e tij në bisedime. “Tani po bëj turin, më vonë do takohen dy aletatët e mi të tjerë dhe me PS-në dhe me PBDNJ-in. Në takimet në nivelin e PS-së siç kam theksuar do të jenë në parlament dhe e ftoj Ramën të tregoj besim tek bashkëpunëtorët e tij dhe të mandatoj edhe ai dy bashkëpunëtorët e tij. Do bëjmë takime edhe me PBDNJ-in dhe me zotin Dule. Ne synojmë një proces civil, të qytetëruar, të përgjegjshëm dhe kushtetues” shtoi Berisha.

Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta deklaroi se nuk është folur për emra konkretë, por për rëndësinë e procesit. “Nuk kemi biseduar për emra konkretë, por për rëndësinë e procesit, që të jetë i sinqerte dhe rezultativ. Në këtë drejtim mendoj se vullneti i duhur për ta kristalizuar këtë proces mund të sjellë një dhe disa emra të pranueshëm më gjerë se maxhoranca aktuale në kuvend”- tha Meta.

Sipas tij, për LSI-në nuk është i rëndësishëm të paragjykojë se nga nuk duhet të vijnë emrat, por vullneti për të pasur një president i mbështetur më gjerë se maxhoranca.

“Në këtë drejtim shprehëm vendosmërinë e LSI për t’i kontribuar këtij procesi që të jetë kushtetues, konstruktuv, konsensual, të bëhen përpjekjet që të zgjidhet me raundin e parë dhe të jepet një mesazh i pjekurisë politike të klasës sonë politike para qytetarëve që kërkojnë stabilitet dhe mundësi për zhvillim ekonomik e punësim, por edhe për ndërkombëtarët që në vjeshtë do bëjnë vlerësim për statusin” shtoi Meta. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button