(EKSKLUZIVE) Luran Ahmeti: Ka 37 vjet që jam i dashuruar

Luran Ahmeti është aktor nga Shkupi i cili kohëve të fundit po vepron në Stamboll dhe duket se po i ecën mjaft mirë. Gjatë viteve të fundit ai është bërë një aktor mjaft i famshëm në Turqi, por jo vetëm atje, pasi me siguri që edhe për publikun shqiptar filmat si ai “Elveda Rumeli” dhe “Balkan Dugunu” janë të njohur.

PORTALB: Ke krijuar një famë të madhe në Turqi, e sidomos me filmin “Elveda  Rumeli” dhe “Balkan dugunu”. Si ia del me gjithë atë famë, a është e vështirë për ty?

Lurani: Nuk është edhe aq famë e madhe sa për mos t’ia dalë me të. Asnjëherë edhe nuk e kam shikuar ashtu. Nuk dua të bëhem modest, sepse sinqerisht nuk jam dhe asnjëherë nuk kam qenë, mirëpo fama nuk më le përshtypje aq shumë. Shumë më shumë me gëzon fakti se më jepet mundësia për të fituar duke punuar profesionin që e dua shumë, më jepet mundësia të fitoj duke u kënaqur. Dhe kur e merr këtë parasysh nuk është vështire aspak. 

PORTALB: Si është jeta në Stamboll? Ku është Lurani tash, këtu apo atje? 

Lurani: Tani jam në Shkup, dhe do të jem edhe për një kohë të caktuar, e pastaj… pastaj nuk e di, ta shohim se cfarë po na përgatit jeta, shpresoj diçka te mirë…

PORTALB: Çfarë ka Stambolli të veçantë dhe çfarë ka Shkupi që mungon atje?

Lurani: Stambolli nuk përshkruhet me një përgjigje të shkurtë, por po mundohem. Është qytet që del në dy dete, qytet që shtrihet në dy kontinente, qytet pafund me afër 20 milion banorë, me një histori mahnitëse, arkitekturë aq të llojllojshme, më traditë shumë të lashtë. Është qytet me laramaninë më të madhe kulturash që e kam parë ndonjëherë, me jetë shumë atraktive kulturore e zbavitëse, me pamjet më të bukura që një qytet mund të të ofrojë, është qytet që të ofron mundësi deri ne pafund. Ndërsa Shkupi është i mire vetëm se është qyteti im, përveç nostalgjisë që kam për të, nuk me kujtohet të them asgjë tjetër. Mund të them se nuk i ka asnjërën prej këtyre qe i thash për Stambollin.

PORTALB: Kohëve të fundit serialet turke po ndiqen me shumë interesim këtu. Na ndihmo të lutem të kuptojmë se si funksionon industria e filmit në Turqi?  

Lurani: Në Turqi në vit xhirohen rreth 120 telenovela të ndryshme, sepse kërkesa edhe vendore por tani edhe ajo ndërkombëtare rritet dita ditës. Jo të gjitha nga këto kane sukses, shumica e tyre dështojnë pas 8-12 episodesh. Por sa dështon njëra, fillon e prodhohet tjetra. Ky hiper-produksion natyrisht se ka ndikuar shumë në rritjen e kualitetit, dhe besoj që do të vazhdojë të ndikojë. Sa i përket filmit artistik, kjo është një botë tjetër. Ne jemi mësuar ta identifikojmë kinematografinë turke me filmat e Ibrahimit apo Emres, mirëpo nuk është aspak ashtu. Filmat artistik turk, edhe pse kanë buxhet të ulët sepse nuk investohet shumë në to, kanë suksese të mëdha ndërkombëtare. Për shembull, mund ta përmend Nuri Bilge Xhejlan i cili tre vite me radhë fiton çmime në festivalin e filmit në Kan. Unë pata fatin të luaj në një film i cili mori çmimin kryesor për film më të mirë ne Bejzhing.

PORTALB: A të ndodh shpesh të të ndalin në rrugë për të të marrë autograf? 

Lurani: Jo, në këtë kohë moderne ndodh ndonjëherë (jo shpesh) për tu ndalur për të më bërë ndonjë foto me celular 🙂

PORTALB: Komplimente për rolin tënd në shfaqen “Paraja”, ishe i mrekullueshëm! Përse pikërisht ky projekt si “come-back” dhe si e përjetove kthimin në skenën teatrale pas një kohe më të gjatë?

Lurani: Falemnderit që ishe në shfaqe dhe për komplimentin. Nuk isha unë ai që e zgjodha projektin por Teatri në bashkëpunim të regjisorit dhe më zgjodhën mua të luaj. Si e përjetova kthimin? Paj.. me shumë frikë, diçka ngjashëm si para shumë kohësh kur isha akoma shume i ri dhe kisha shfaqjet e para në teatër. Kjo ndjenjë frike më kishte munguar shumë, e kam luajtur dhe vazhdoj ta luaj këtë rol me shumë ëndje dhe kënaqësi. Të shfrytëzoj rastin edhe të them se shfaqjen e luajmë çdo të enjte në ora 20.

PORTALB: Na trego si përgatitesh ti për një rol të caktuar? Ke ndonjë ritual të posaçëm?
Lurani: Ka sisteme të ndryshme të punës. Deri më sot nuk kam luajtur asnjëherë ndonjë “Romeo”, të gjitha karakteret të cilat i kam luajtur në shoqëri do të ishin konsideruar pak si të çuditshëm dhe të veçantë. Unë mundohem t’i arsyetoj të gjitha veprimet e karakterit të cilin luaj para se të filloj me prova, më duhet ti besoj së pari atij, se po nuk i besova un karakterit, as publiku nuk mund të më besojë mua kur e luaj atë.

PORTALB: Cilat janë rolet dhe arritjet gjatë karrierës tënde me të cilat krenohesh më së shumti?

Lurani: Ndoshta akoma nuk i kam luajtur ?. Unë edhe pse jo më në fillim të karrierës, akoma e shoh veten si në një lloj fillimi. Por, po të përgjigjem kështu: Roli i parë, vetëm pse ishte roli i parë (edhe pse shumë i parëndësishëm për shfaqjen në të cilën luajta) në shfaqjen Dy Pistoleta nga Dario Fo në vitin 1997, kur isha student i vitit të dytë. Pastaj Katurijan Katurijan në shfaqjen Nenkresbami nga Martin Mekdona, roli i Dimitri në Elveda Rumeli, roli i Lekës në Balkan Dugunu. Roli i një vrasësit në filmin Taken 2 (i cili do te ketë premierë në dhjetor) sepse po shpresoj mos po më hap rrugë tjera në karrierë, dhe në fund Henri Perkins te shfaqja Paraja. Këto i kujtoj më me ëndje.
PORTALB: A të ka ndodhur ndonjëherë që të mishërohesh aq shumë me ndonjë rol, që më pas e ke pasë vështirë të jesh vetvetja në jetën e përditshme?
Lurani: Jo. Vetëkontrolli është mbi te gjitha 🙂

PORTALB: Sa është e vështirë të kontrollohen ndjenjat që investon në aktrim? Sa ndikojnë skenat e dashurisë në ndjenjat e tua të vërteta? 

Lurani: Për këtë ekziston shkolla, aty mësohemi ti kontrollojmë ndjenjat, ndjenjat janë aletet tona, nuk kemi çekan apo diçka tjetër. Emocionet janë ato me të cilat punojmë. Mirëpo, të dish ti kontrollosh dhe ti përdorësh në dozë të caktuar të nevojshme në kohë të caktuar është ajo qe e mësojmë. Ndërsa në jetë, jashtë skene, ke situata të cilave nuk ua din fundin sepse nuk e ke skenarin. Këto janë ato ndjenja të cilat nuk mund t’i kontrollosh dhe është mirë që është ashtu. Mua nuk më ndikon asgjë nga skena në jetën time, jam mësuar ti ndaj mirë këto të dyja.

PORTALB: Dashuria, të mundon dopak?

Lurani: Kam 37 vjet, dhe ka 37 vjet që jam i dashuruar. Të jesh i dashuruar është ndjenjë shumë e mirë, nuk bën të ikësh nga kjo ndjenjë 🙂

PORTALB: Ka momente kur pendohesh që je aktor? Për çfarë në fakt pendohet Lurani?

Lurani: Po, ka pasur momente të tilla kur nuk më është shpërblyer mundi financiarisht. E kam parë veten se si punoj kot dhe nuk ma kanë vlerësuar punën rrethi e shoqëria duke e konsideruar zanatin tim si një shaka. Por, fatmirësisht tani ato ditë kanë kaluar. 
Për çka pendohem?  O Zot,  për sa shumë gjëra pendohem.. sa shume gabime kam bërë. Ndoshta mos ti kisha bërë do të isha në një vend më të mirë sot. Por,  njëkohësisht dhe jam shumë mirë, ndoshta edhe ato gabime që kam bërë më kanë sjellë deri këtu, ku ta dish…

Lajme të ngjashme

Back to top button