Rasti Monstrum, akoma nuk dihet kur fillon gjykimi

Gjykimi i të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë akoma nuk caktohet. Gjykatësi hetues i cili duhet të caktoj datën e fillimit të procesit arsyetohet se akoma është duke vazhduar ekspertiza e dëshmive.

Avokati Naser Raufi i cili është mbrojtës në detyrë i të akuzuarit Agim Ismailoviç, thotë se atij i është thënë se rasti do të fillojë brenda disa ditëve, por edhe pas afro një muaji që nga aksioni policor nuk ka informacione se kur mund të fillojë gjykimi.

‘Gjykatësi hetues Vlladimir Tufekxhiç më tha se edhe më tej janë duke bërë ekspertizë të dëshmive për vrasjen e Smillkovcës, dhe kur të përfundojnë do të caktojnë seancën e parë gjyqësore. Pak është e çuditshme se ekspertiza e dëshmive zakonisht ndodh një apo dy ditë, për raste të rënda siç është vrasja e pesëfishtë, zakonisht merr edhe më pak kohë’, thotë Raufi.

Ai edhe një herë dëshmoi se klienti i tij Agim Ismailoviç është keqtrajtuar që në ditën e arrestimit më 1 maj nga forcat policore, ndërsa më 2 dhe 3 maj nga gardianët. Këtë e ka vërtetuar ai personalisht kur ka vizituar Agimin në burgun e Manastirit, ndërsa edhe vet i arrestuari ka dëshmuar për rrahjet që ka përjetuar. Kjo vepër, thotë Raufi sanksionohet  me nenin 242 të Kodit penal që ka të bëjë  mundimin, maltretimin dhe veprimin  jonjerëzor ndaj të paraburgosurve.

Jozyrtarisht, familjarët e të arrestuarve përmendin datën 1 qershor si datë e mundshme për fillimin e procesit më të përfolur gjatë dy muajve të fundit në Maqedoni. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button